Conference League

Laçi/ Dyqani i lagjes që u bë supermarket, Pashk, ku e ke zyrën?!

Laçi, biznesi i futbollit, nga Gjergj Stefa

Tre leksione që na dha realiteti i projektit sportiv të familjes që prej 13 vitesh rritet në mënyrë progresive!

Në javën europiane ku tre skuadrat më të mëdha të historisë së Shqipërisë – Tirana, Partizani e Vllaznia – nuk fituan dot asnjë ndeshje ndërkombëtare nga 6 të luajtura, në stadiumin qendror të Moldavisë, Laçi, një emër që ende dikujt i vret veshët por jo më sytë, hodhi sërish një hap të rëndësishëm drejt kalimit në turin e tretë.

Për t’u thënë të gjithëve që nuk është një rastësi duhen përmendur disa të dhëna të rëndësishme për transformimin e këtij projekti biznesi në këto 13 vite, nisur në një fushë që nuk meritonte të quhej e tillë, në një qytet që futbollin e kish mbështetur te dhuna fizike dhe verbale aq sa jetë e mot “o Fitore o Skandal” ishte refreni i Industralit, që jo vetëm pothuajse nuk fitonte kurrë, por ish një bezdi kolektive dhe personale për këdo që luante ndaj tyre.

Çfarë ndodhi? Në këtë dekadë klubi u ndërtua me një qasje familjare, me disa të vetë punësuar të devotshëm ku në majën e piramidës qëndron babai i familjes, Pashku, teksa më pas djali, Kleo, merret më së shumti me çështjet e merkatos dhe menaxhimin e grupit, vajza me çështjet financiare, ndërsa dy miq sërish të familjes, Klevisi dhe Dario, zgjidhin gjithë problemet e tjera.

Pak a shumë bëjnë të gjithë punën e 20 njerëzve bashkë. Pasi ndërtuan fushën e stadiumin, dhe pasi vunë në vijë anën juridike, hynë në treg në dy forma: rezultate sportive dhe futbollistë që bliheshin e shiteshin. Një herë nën kampion, një herë në vend të tretë, 2 kupa Shqipërie, Superkupë, pothuaj çdo vit në Europë, 5 herë kalimi i turit të parë, deri tani një herë kalimi i turit të dytë, sot sërish në prag për ta bërë.

E gjitha kjo në para është përkthyer në më shumë se 2.5 milionë euro të ardhura! Nga ana tjetër, të paktën 10 futbollistë janë shitur gjatë kësaj periudhe, duke i dhënë arkës së klubit një frymëmarrje të konsiderueshme. Afro 2.5 milionë euro të tjera janë përftuar nga shitjet, ku rekordi është rasti Uzuni, i cili u ble me 20 milionë lekë të vjetra, dhe në fund arriti të arkëtojë afro 1 milion euro nga shitja e rishitja e tij.

Klubi nuk ka pasur mundësi për shkak të emrit dhe qytetit të përfitojë të ardhura nga marketingu dhe biletat, por është munduar të ofrojë sponsorë të rëndësishëm. Mjafton t’i shohësh si janë të veshur në Europë për të kuptuar se në këtë drejtim kanë punuar mirë. Nuk duhen nënvlerësuar dhe fondet e solidaritetit, mungesa e gjyqeve të humbura, firo të vogla me kontratat dhe e drejta televizive që ka qenë e konsiderueshme çdo vit.

E parë në makro pas 13 vitesh, familja Laska duket se ka arritur të ndërtojë një sistem biznesi që nisi si projekt dhe u shndërrua deri diku në rentabël. Futbolli nuk është një biznes i lehtë! Ata në Kurbin, çdo vit e nisin pothuaj me 650 mijë euro minus në total! Dhe nëse një vit nuk arrijnë t’i nxjerrin këto para detyrohen që sezonin pasardhës ta ulin ndjeshëm buxhetin.

Panorama e mësipërme me gjithë gabimet e vogla në shifra na jep tre mesazhe të qarta.

E para futbolli prej kohësh kudo është një biznes i pastër që shkon përtej emocioneve të traditës dhe emrit të mirë të së shkuarës së largët. Nëse nuk krijon një projekt të qartë të mbështetur në disa drejtime, në fund jo vetëm që mund të humbasësh paratë por dhe emrin e mirë që është krijuar ndër dekada.

E dyta të jesh me këmbë në tokë, të përqendrohesh, të prevalosh mbi euforinë e rrjeteve sociale, mediave, të luash duke respektuar limitet e tua dhe kundërshtarin, dhe të përgatisësh ndeshjet deri në detaje; janë shumë të rëndësishme në Kupat e Europës. Laçi këtë e bëri pa luks, por me shumë punë.

E treta çka është dhe më e rëndësishme: të luftosh e punosh kundër paragjykimeve! Për hir të shumë arsyeve faqen e parë do ta zënë gjithnjë emrat e mëdhenj, madje dhe kur dështojnë, dhe nëse sfidohesh dhe don të arrish atë faqe të parë, mund të të bëjë dëm. Ndeshjen nuk e fitojnë as gazetat, as tifozët, as Facebook e as Instagrami. E fiton fusha. Dhe Laçi i beson më shumë fushës…

E fundit, por jo nga rëndësia. Familja që drejton këtë kompani sportive, sidomos në dy vitet e fundit, ka arritur te gjejë deri diku raportin e mirë profesional me trajnerin. Për presidentin nuk ka qenë e thjeshtë. Ai nuk është modeli skandinav i sjelljes. Është agresiv, kokëfortë, flet ashpër dhe është shpesh nervoz.

Përveçse ia imponon sikleti i biznesit e ka dhe në tip. Por ai ka pasur gjithnjë një ide të qartë. Të zbutesh në karakter, por jo në projekt! Sepse mënyra e tij për atë është efikase. Ka gjetur Duron si partner. Kanë të njëjtën kokë dhe çudi si merren vesh, por të paktën ia dalin të plotësojnë njëri tjetrin.

Biznesi i familjes që rastësisht ndodhi në Laç, është një model ndoshta jo i përkryer, por që hë për hë mund të kopjohet nga të gjithë ata që duan të investojnë në sport. Kur kthen kokën pas e sheh Laçin si është transformuar në këto 13 vite thua me vete: a është i njëjti Pashk me një shishe të mbushur me gjysmë rakie në dorë që shan gjyqtarët e këdo që i del para? Paska pasur dhe një Pashk tjetër që e ka njohur vetëm ai…

TESTONI NJOHURITË TUAJA RRETH PREMIER LEAGUE

QUIZ/ Premier League 2021-2022 – Sa mirë e kujtoni sezonin që sapo u mbyll?

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency