Serie A

Juventus punon për merkaton në dalje, tre futbollistë me valixhet gati

Pas disa goditjeve të bujshme, si rikthimi i Paul Pogba, firma me Di Marian dhe blerja e Gleison Bremer, Juventus është përqendruar tani te merkatoja në dalje, aty ku të paktën tre mesfushorë janë me valixhet gati.

Uellsiani Aron Ramsey është i pari që duhet të lërë Torinon, pasi nuk bën pjesë në planet e Max Allegrit dhe pas një huazimi 6-mujor te Rangers, tani do të duhet të gjejë një tjetër ekip, me bardhezinjtë që synojnë ta shesin njëherë e mirë.

Për momentin uellsiani kërkohet nga Andrea Pirlo te Fatih Karagumruk, por ky opsion nuk e josh shumë mesfushorin, që do të donte një rikthim në Premier League, aty ku deri tani nuk ka pasur asnjë ofertë konkrete.

Edhe Arthur ka dështuar të gjejë hapësira, si me Allegrin, ashtu edhe me Sarrin më herët, ndaj do të mirëpriste një largim, pasi dëshiron të luajë rregullisht, për të marrë një ftesë në Botërorin e Katarit.

Për brazilianin ka oferta nga Anglia e Spanja, por deri tani askush nuk u afrohet pretendimeve të bardhezinjve, që synojnë të paktën 40 milionë euro për kartonin e tij. E njëjta situatë është edhe me Rabiot, që pas afrimit të Pogba, sheh t’i mbyllen hapësirat dhe do të kërkojë një tjetër ekip.

Nga ana tjetër, me largimin e këtyre të treve, Juventusi do të kursente më tepër se 20 milionë euro paga dhe do të kishte mundësinë të hidhej në sulm për të firmosur me argjentinasin Paredes, i cili aktualisht është pjesë e PSG-së.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency