Jo vetëm Di Maria e Pogba, Juventus nënshkruan edhe me një ish-arbitër
Është periudhë merkatoje dhe klubet kërkojnë të përforcojnë sa më shumë që të jetë e mundur organikën duke nënshkruar me futbollistë të rinj. Megjithatë, për të ndërtuar një klub apo skuadër të fortë, nuk mjaftojnë vetëm lojtarët por duhet të funksionojë më së miri edhe pjesa administrative.
Kështu, Juventus së fundmi ka afruar në klub dy persona, Giovanni Andreini dhe Luca Maggiani. I pari do të jetë shefi i Performancës në klub dhe do të kujdeset për dietën, kushtet fizike e shëndetësore të futbollistëve ndërsa i dyti, është edhe ai që ka bërë më shumë bujë duke qenë se bëhet fjalë për një ish-arbitër.
Maggiani ka një të kaluar si anësor në Serie A dhe në klubin e Juventus do të mbulojë rolin e Menaxherit të Arbitrave për Klubin. Ky rol është një risi dhe kursi për këtë detyrë sapo ka përfunduar nga ana e Federatës dhe Maggiani ka gjetur menjëherë një detyrë të re në klubin bardhezi ndërsa prurjet e reja te “Zonja e Vjetër” kanë bërë goxha “zhurmë” në Itali.



