Kur “Barcelona” të vijë në Vlorë me avion!
Projekti kuqezi ka lidhje me aeroportin, zhvillimin e qytetit dhe dy stadiumet e reja. Sinani këtë rradhë po mundohet të na habisë sërish. A do na “gënjejë” dot?! Një shkrim nga Gjergji Stefa.
Prej kohësh kam menduar mos ta shkruaj këtë histori. E para sepse miti që kemi krijuar për ata që ndalën Barcelonën është aq i madh sa kur ndokush guxon t’i kriitkojë për jetën pas Barcelonës të gjithë i kthehen dhe i kujtojnë Barcelonën, a thua se ndeshjet me Barcelonën ndajnë dy erërat si lindja e Jezu Krishtit. Ja pra që nuk është kështu. Një nga ata që ka ndalur Barcelonën ka dashur madje të vjedhë e të shesë për skrap autobuzin e vjetër të klubit Flamurtari që Bashkia para Sinanit e kishte blerë 85 mijë euro.
Meqënëse Idrizi mori një bus si avion, ish-lojtari tha, pse mos fitoj unë 800 mijë lekë me shitjen për skrap. Dhe Idrizi ka të vetat në fakt. Është simpatik dhe merr vesh nga futbolli dhe me thënë të drejtë jo vetëm që nuk vjedh, çështë ajo fjalë, por jep dhe lekë. Pra mjaft më me të 80’-tat se vërtet dhuruan emocione të mëdha atëherë por ama mbrapa nuk lanë ndonjë shenjë. Sikur Idrizi t’i jepte Flamurtarit aq mirë sa di t’i japë avionit, Flamurtari nuk do luante kundër Barcelonës, por do të paktën do ishte sot një çarter i futbollit shqiptar. Por mesa duket ajri dhe toka nuk ngjasojnë shumë.
Por, Idrizi sidomos në dy vitet e fundit na ka treguar se ndoshta nuk mund të jetë një pilot fantastik por këtë rradhë të paktën ka aktvizuar pilotin… automatik. Për herë të parë që nga 2014 po i bën gjërat si duhet.
Në Vlorë të luash futboll nuk është e thjeshtë. Cfarë do që të bësh nuk do jesh asnjëherë në nivelin e skuadrës që ka mundur Barcelonën. Asokohe në 7-8 vite dolën pothuaj gjithnjë finale Kupe, fituan 2 herë Kupën dhe shkuan deri në tur të tretë të Kupës Uefa ndaj skuadrës së Geri Lineker. Kulmi i atij brezi është 1991 titulli kampion. Atë verë donin të mundnin Goteborgun e Suedisë, 0-0 dhe 1-1. Ikën nga Liga e Kampioneve me gol në fushë kundërshtare.
Nejse, sot gjërat nuk janë njësoj. Vetëm Barcelona ka mbetur po aq e madhe. Gjithnjë futbolli ka ndryshuar. Ca më shumë në Shqipëri e ca më pak në Vlorë. Tani se çka ndodhur në gjithë këto vite e dinë të gjithë e nuk ka nevojë për kronikë. Nga gabimi në gabim deri te fundi që ndonjëherë shërben për mirë sepse kur e prek atë fillon ngjitja. Si i thonë fjalës në çdo krizë ka zgjidhje. Flamurtari i ri, ai që e nisi nga Kategoria e Dytë, është krejt ndryshe nga ai që ra i qetë, pa zhurmë, me lojtarë me përvojë, i konsoliduar dhe pa ndryshime. Po shlyen në kohë rekord borxhet e së shkuarës dhe po afron rreth vetes një grup që mesa duket di mirë se çdo të thotë futboll dhe klub. Trajnerin nuk e ndryshon lehtë dhe vishet si gjithnjë njësoj sikur të ishte në Superiore.
Pas një viti është 100 vjetori dhe ata duan ta festojnë me ngjitjen në Superiore. Kjo është e mundur. Rivalë të denjë janë Dinamo më së shumti dhe ndoshta Skëndërbeu. Si ka ndryshuar futbolli. Në 1990 Dinamo e Flamurtari luajtën Superkupën e parë të Shqipërisë. Çfarë ndeshje. Doli 3-3. Luanin Demollari e Kushta atëherë.
Flamutari i ri do ndërtojë dy stadiume. Një te pylli Sodës, i vogël i mbledhur me fusha stërvitje e me hotel. Ky do bëhet i pari, shpejt e shpejt me qëllimin që të jetë gati për Superiore në 2023. Në të njëjtin vit mendohet të nisë ndërtimi i stadiumit të madh Flamurtari i cili mund të ketë afro 25 mijë vende. Presidenti aktual Idrizi ka bërë debat për këtë çështje me njishin e qeverisë Rama. Ky i fundit mendon se duhet të jetë më i vogël, Idrizi pretendon se pas 20 vitesh Vlora do jetë një Antalia e dytë. E dini ç’stadium ka Antalia. Fantastik.

Tani që e gjitha kjo të bëhet realitet, duhet t’i besojmë Sinanit, numrit 1 të klubit kuqezi. Ai nuk po na premton Flamurarin e Barcelonës por kërkon të na ofrojë një Flamurtar të ri, me dy stadiume, skuadër dinjitoze dhe ekip që do sillet në treg si një e tillë e denjë. Daç besojeni, daç jo, secili ka të drejtë të besojë atë që do dhe atë që ndjen, por një gjë është e sigurtë. E shkuara nuk duhet të na përfshijë më në rrënojat e saj.
Është shumë e bukur për t’u parë e treguar po kaq. Sepse Flamurtari që mundi Barcelonën ishte produkt i një brezi që u rrit në një regjim të devotshëm me klasa sportive. Ajo kohë nuk vjen më. As ai Flamurtar. Tani nuk kemi alternativë tjetër, veçse t’i besojmë Sinan Idrizit, mbreti të ajrit që kërkon të “uzurpojë” dhe fushën. Të shohim.




