Chelsea i prish punë United, presidenti takohet me agjentin e sulmuesit të talentuar
Benjamin Sesko është talenti i radhës që po shkëlqen te Salzburgu. Kampionët e Austrisë prej vitesh po nxjerrin sulmues të talentuar. Emra si Sadio Mane, Erling Haaland dhe Karim Adeyemi kanë mbushur arkat e klubit.
Për momentin është goleadori slloven ai që po dhuron paraqitje pozitive dhe po realizon gola me ekipin austriak. Shumë klube të njohura po ndjekin me interes të veçantë ecurinë e 19-vjeçarit, i cili numëron 13 ndeshje dhe 2 gola me kombëtaren sllovene.
Manchester United po tenton ta transferojë në Premier League, por në garë është futur edhe Chelsea. Mediet sllovene flasin për një takim sekret mes agjentit të sulmuesit shtatlartë dhe Todd Boehly.
Elvis Basanovic ka biseduar me pronarin e klubit londinez në lidhje me mundësinë e kalimit të Seskos në “Stamford Bridge”. Salzburg ka pretendime të larta, teksa drejtuesit e klubit austriak preferojnë ta mbajnë edhe një sezon lojtarin.
Për të siguruar shërbimet e qendërsulmuesit nevojiten të paktën 50 milionë euro dhe përfshirja e Boehly konfirmon interesimin konkret të Chelsea që synon t’i dhurojë trajnerit Tuchel një tjetër sulmues pas Raheem Sterling.
Në kushte të tilla, Armando Broja pritet të largohet nga ekipi londinez. Disa klube duan sulmuesin e kombëtares shqiptare. 20-vjeçari është kundër një tjetër huazimi dhe kërkon shitjen e plotë nëse nuk bën pjesë në planet e Tuchel.
TESTONI NJOHURITË TUAJA RRETH PREMIER LEAGUE
QUIZ/ Premier League 2021-2022 – Sa mirë e kujtoni sezonin që sapo u mbyll?



