Josa: Unë dhe Vllaznia gati për luftë, pse preferoj lojtarët që luajnë si vendas
Vllaznia nuk pati fat në shortin e Conference League. Ekipi fitues i Kupës së Shqipërisë, u përball me rumunët e Universitatea Craiova, që eliminuan kuqeblutë me rezultatin e përgjithshëm 4-1.
Tani është fokusi te sezoni i ri, që nis më 20 gusht. Tifozët shkodrane presin titullin kampion, që mungon prej vitit 2001. Trajneri Mirel Josa preku disa tema në prononcimin për mediet, ku ndër të tjera tha:
“Duhen sqaruar shumë probleme, sepse normalisht gjatë kësaj periudhe, kemi filluar punën dhe ka qenë një punë e ndërthurur, qoftë për pjesëmarrjen tonë në Europë, edhe për vazhdimësinë për sa i përket fillimit të kampionatit, që do thuajse tre javë.
Në çdo punë që punon ka probleme. Ne duhet të mësojmë si t’i përmirësojmë këto probleme të cilat do të na dalin: qoftë te skuadra, qoftë në mënyrë loje, qoftë në impenjimin e skuadrës në stërvitje, qoftë në impenjimin e klubit në realizimin e kërkesave tona. Te kjo e fundit s’kemi pasur asnjë problem.

Nëse e keni parë që nga fillimi mënyrën se si unë dua ta ndërtojë skuadrën, sepse nuk duhet të bëhet skuadra me shumë ndryshime nga viti në vit. Unë them që kemi bërë mirë deri në këtë periudhë. Seç do të bëjmë këtë 3-javorsh deri në mbyllje e merkatos na mbetet të presim, skuadra ka nevojë për afrime.
Duhet të mësojmë nga ndeshjet europiane. Skuadra ka nevojë për përmirësime, të cilat do na bëjnë të përmirësojmë mënyrën e punës. Edhe në Shkodër patëm probleme në pjesën e parë. Në pjesën e dytë ishim më të qartë se çfarë kërkonim.
Ne duhet të kishim një mbështetje shumë më të madhe, por ishin të markuar shumë mirë lojtarët që janë pika referimi për ne.
Sulmi? Çdo trajner do lojtarin sulmues, por unë kam besim te dy lojtarët që kam këtu. Ka të bëjë ana psikologjike dhe si do e përballojnë lojtarët. Kërkojmë cilësi më të madhe për repartin e sulmit.
Objektivat? Të bëhemi skuadër sa më e konsoliduar dhe të marrim rezultate. Kush është ai që nuk do të dalë kampion, qoftë unë dhe lojtarët. Nuk më interesojnë fare skuadrat e tjera.
Merkato? Kam kërkesat e mia. Ta keni të qartë: unë vlerësoj më tepër lojtarët që luajnë si vendas, pra lojtarë nga Maqedonia dhe Kosova. Nuk mund ta ngarkoj skuadrën me lojtarë të huaj, e dini shumë mirë limitimin e numrit të tyre.
Këtë javë do të stërvitemi në Shkodër me dy seanca stërvitore. Kemi edhe një javë tjetër për t’u stërvitur, të cilën do e zhvillojmë në Pogradec, që të jemi sa më të freskët për fillimin e kampionatit.
Titulli? Unë dhe lojtarët e mi jemi gati për luftë. Lufta është e tillë: njëra skuadër vritet, tjetra shpëton. Duhet të hyjmë në fushë për të luftuar, për të marrë më të mirën tonë dhe për të fituar ndeshjet.

Mund të marrim edhe lojtarë me kosto më të madhe se këto që kemi, por e kemi parë shumë mirë se çfarë na kanë bërë ata lojtarë. Kanë ardhur, janë paguar dhe kanë ikur pa lënë gjurmë. Nuk flas vetëm për te Vllaznia, kështu ka ndodhur edhe me skuadrat e tjera.
Skënderbeu? Pati lojtarë të mirë brenda, u organizua mirë si skuadër, por mos të harrojmë edhe diçka tjetër: e mbani mend shortin që i ra Skënderbeut? Gjithsesi, organizimi i skuadrës ishte perfekt. Mua më intereson vetëm skuadra ime, vetëm Vllaznia”, deklaroi Mirel Josa.
TESTONI NJOHURITË TUAJA RRETH PREMIER LEAGUE
QUIZ/ Premier League 2021-2022 – Sa mirë e kujtoni sezonin që sapo u mbyll?



