Konyaspori i shqiptarëve turpërohet nga skuadra e kategorisë së dytë në Zvicër
Konyaspori turpërohet nga Vaduzi, skuadra e Challenge League në Zvicër, e cila merr pjesë në Conference League si fituese e Kupës së Lichtensteinit. Skuadra turke, pjesë e së cilës janë tre futbollistë shqiptarë (Cikalleshi, Çekiçi dhe Bytyqi), u mposht 2-4 në shtëpi, teksa takimin e parë në Vaduz e kishte barazuar 1-1.
Në sfidën e luajtur në Konya ndodhi ajo që s’e priste kush. Vendësit kaluan në epërsi që në minutën e 18-të me Guilherme me 11-metërsh, por ekipi modest nga Lichtensteini realizoi dy herë në minutat 28’ dhe 31’ me Sasere dhe Sutter. Në pjesën e dytë miqtë e gjetën edhe dy herë të tjera rrjetën me Cicek dhe Gasser, ndërsa goli i Hadziahmetovic në shtesë i vlejti vetëm për statistikë Konyasporit. Bytyqi u aktivizua titullar te Konyaspori, ndërsa Cikalleshi u hodh në lojë në minutën e 59-të në vend të Rahmanovicit, por pa mundur të ndryshojë rrjedhën e lojës.



