Featured

Spektakël dhe emocione në “Super Sport”, nis sot La Liga

Pa u mbushur as tre muaj nga mbyllja e sezonit të kaluar Primera Division bëhet gati për të startuar edicionin e 92-të kampionatit spanjoll.

Reali i Madridit do të nisë kështu mbrojtjen e titullit, pas kurorëzimit të edicionit të kaluar, që padyshim do të mbahet mend gjatë si një ndër sezonet më të suksesshëm në historinë 120 vjeçare të klubit merengues.

“Los Blancos” e mbyllën edicionin e shkuar të kampionatit në kuotën e 86 pikëve, plot 13 pikë para rivalëve të përjetshëm të Barcelonës dhe për mënyrën se si rrodhën ngjarjet natyrisht që një diferencë e tillë e shndërroi trofeun e fundit të Primera Division-it në një prej titujve më të lehtë të fituar ndonjëherë nga klubi mbretëror, në kompeticionin më të lakmuar të futbollit spanjoll.

Sezonin e kaluar Reali përfitoi në maksimum nga problemet e shumta të klubit katalanas, për t’u shkëputur herët në klasifikimin e përgjithshëm, por sidoqoftë kryesia e Barçës bashkë me presidentin Joan Laporta e mblodhën shpejt veten dhe shkarkuan holandezin Ronald Koeman, heroin e finales së famshme të Wembley-t ndaj Sampdorias,  për t’ia besuar timonin në fillimin e muajit nëntor ish-mesfushorit të famshëm të skuadrës katalanase Xavi Hernandez.

Historia dihet, Barcelona vuajti disi në fillim, por më pas ekipi blaugrana rreshtoi plot 13 fitore radhazi, për të kaluar në renditje edhe Atleticon e Madridit me Seviljen, kundërshtarë që i la prapa në klasifikim respektivisht me nga dy dhe tre pikë diferencë.

Në këtë mënyrë tre gjigantët Real, Barcelona dhe Atletico ia kanë dalë mbanë për t’u kurorëzuar me titullin në katër edicionet e fundit, megjithatë është fakt që klubi i mirënjohur nga Katalonja krenohet me plot 10 tituj në 18 edicionet e fundit, ndërkohë që kampionati i fituar me veteranin italian Carlo Ancelotti është i dyti në katër sezonet e fundit për rekordmenët e futbollit spanjoll.

Pavarësisht titullit të marrë lehtë në edicionin e kaluar të Primera Division, si dhe trofeut të çmendur të fituar në mënyrë të pabesueshme në Champions këtë radhë pritet që skuadra e Barcelonës të reagojë.

Një lloj ndryshimi u dallua qartë që në fazën e dytë dhe progresi i Barçës kulmoi me atë fitore mbresëlënëse brenda në Santiago Bernabeu, me shifrat poshtëruese 4-0. Një leksion i mirëfilltë futbolli që u përsërit në përmasa diçka më të zbutura edhe në Shtetet e Bashkuara, as tre javë më parë në Nevada, ku Barcelona e Xavi-t u duk vërtet shumë lart.

Klubi merengues ka bërë fare pak ndryshime dhe trajneri emilian e nisi diçka më vonë fazën përgatitore. Për hir të së vërtetës bookmakers-at vazhdojnë të përkrahin Realin si ekipin favorit për titullin kampion, por është e qartë që me ndryshimet e bëra apo dhe formën e shfaqur në pesë sfidat miqësore me Interin, Realin, Juventusin, New York Red Bull-in dhe Pumas-in Barcelona duket shumë mirë.

Të dielën e kaluar Barcelona duhej të përballej me Romën e Jose Mourinho-s në takimin e përvitshëm të trofeut Joan Gamper, gjithsesi në Stadiumin Camp Nou skuadra blaugrana cmontoi me rezultat tenistik ekipin meksikan, duke kryesuar madje 4-0, pa u mbushur as gjysma e fraksionit hapës. Përsa iu përket ndryshimeve Reali vazhdon t’i besojë eksperiencës.

Kampionët në fuqi janë përforcuar me mbrojtësin gjerman Antonio Rudiger nga Chelsea si dhe mesfushorin Aurelien Tchouameni nga skuadra e Monakosë, ndërkohë nga ekipi janë larguar Marcelo, Isco dhe Gareth Bale.

Te Barcelona drejtuesit vazhdojnë të investojnë fuqishëm dhe në gjirin e skuadrës janë afruar futbollistë të tillë si Franck Kessie nga Milan-i, Andreas Christensen nga Chelsea, Raphinha nga Leeds-i, sulmuesi i mirënjohur Robert Lewandowski nga Bayerni si dhe nga Sevilja mbrojtësi i talentuar francez Jules Kounde.

Pavarësisht kontratës tepër fitimprurëse me Kompaninë Sixth Street Partners, së cilës drejtuesit i shitën 10% të të drejtave televizive të Barcelonës për kampionatin spanjoll për 25 vitet e ardhshme, situata financiare përsëri nuk është shumë e qartë.

Borxhi i përgjithshëm vazhdon të jetë tepër i lartë dhe pavarësisht sakrificave të shumta dhe përforcimeve të bëra përgjatë merkatos së verës krerët e klubit janë të shtrënguar për të shfryrë organikën e skuadrës, përndryshe lojtarë si Kessie dhe Christensen nuk mund të federohen dot.

Në krahun tjetër është pothuajse njësoj situata te Atletico e Diego Simeones dhe ndryshimi më domethënës është largimi i sulmuesit veteran Luis Suarez, që preferoi të kthehej në atdhe te Nacionali i Montevideos.

Nga Segunda Division janë ngjitur Almeria, Valladolidi dhe Girona. Nga kontigjenti i futbollistëve kuqezi mesfushori Keidi Bare vijon të jetë pjesë e Espanjolit, ndërsa mbrojtësi Ivan Balliu vazhdon të mbetet një pikë e fortë e ekipit madrilen Rayo Vallecano, ndërsa sulmuesi i përfaqësueses dardane Vedat Muriqi tani është futbollist me të drejta të plota i Majorkës, pas kontratës 5-vjeçare  që lojtari kosovar firmosi me krerët e klubit ishullor.

Përsa i përket kalendarit Reali do të nisë mbrojtjen e titullit të dielën në mbrëmje në orën 22:00 në Andaluzi në fushën e Almerias, në Stadiumin e Lojërave Mesdhetare.

Barcelona do të presë në shtëpi mbrëmjen e së shtunës në orën 21:00  Rayo Vallecano-n, ndërsa bardhekuqtë e Atletikos do të masin forcat ditën e hënë në Stadiumin Coliseum Alfonso Perez, në orën 19:30 në derbin madrilen me Getafe-n. Gjithcka fillon të premten në mbrëmje në orën 21:00 në Stadiumin El Sadar të Pamplonës, ku skuadra navarre e Atletico Osasunës do të përballet me Seviljen e Julen Lopetegui-t.

Të gjithë edicionin e 92 në Primera Division, me ndeshjet, përmbledhjet apo dhe gjithçka tjetër sportdashësit e futbollit spanjoll do të kenë mundësi ta ndjekin drejtpërsëdrejti dhe ekskluzivisht brenda Platformës Digitalb, natyrisht nëpërmjet kanaleve Supersport.    

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency