Kreu i KOKSH, sërish apel qeverisë: Legalizo bastet dhe paratë investoji në sport
Në ceremoninë e pritjes për Kampionen e Europës në Atletikë, Luiza Gegën, mbajti fjalën e rastit edhe kreu i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, i cili nuk ngurroi të bëjë një apel edhe për kryeministrin Edi Rama.
Ylli kërkoi që shteti të legalizojë kompanitë e basteve dhe të ardhurat prej tyre, t’i investojë në sport, teksa i kërkoi kryeministrit Rama të investojë për terrene sportive, si një mënyrë jo vetëm për të mbështetur sportin profesionist, por edhe për krijimin e një klime sociale më të shëndetshme.
“Unë falënderoj me zemër Luizën për këtë arritje, që lartësoi jo vetëm emrin e saj, por edhet gjithë Shqipërinë, duke zgjuar ëndrrat edhe te shumë sportistë të rinj, që një ditë mund t’ia dalin ashtu si Luiza. Meqë jam para kryeministrit, dua t’i kërkoj që të legalizojë kompanitë e basteve, që gëlojnë në të zezë dhe të ardhurat e tyre, t’i investojë për sportin. Ne e dimë që buxheti i shtetit ka limitet e veta, por me ato para të basteve, mund të investojmë në shumë terrene sportive në të gjithë Shqipërinë, që të orientojmë të rinjtë drejt sportit dhe të krijojmë një klimë shumë më të shëndetshme sociale”, deklaroi Fidel Ylli.



