Sinjale pozitive pas takimit me agjentin, Juventus ndan mendjen për sulmin
Juventus ka vendosur, Arkadiusz Milik do të jetë opsioni shtesë për trajnerin Massimiliano Allegri në vijimin e sezonit. polaku ishte në fillim thjesht një alternativë për Memphis Depay të Barcelonës, por pasi ky i fundit rriti pretendimet financiare, bardhezinjtë vendosën të kalojnë vëmendjen tek lojtari i Marseille.
Së fundmi, drejtuesit e torinezëve kanë mbajtur edhe një takim me agjentin e 28-vjeçarit dhe ndjesitë kanë qenë tejet pozitive ndërsa ka një akord paraprak që sulmuesi të përfitojë deri në 3.5 milionë euro në sezon.
Ndërsa sa i takon klubit francez, Marseille do të përfitojë dy milionë euro dhe më pas tetë të tjera nëse Juventus do të transferojë përfundimisht lojtarin pasi për momentin bëhet fjalë vetëm për huazim. Kështu, Milik është shumë pranë rikthimit në Serie A, aty ku më parë ka luajtur për Napolin.



