“Skuadrës i mungonte karakteri dhe shpirti i garës”, Ten Hag: E kotë të flasim për filozofi!
Manchester United koleksionoi fitoren e dytë radhazi në Premier League teksa pas triumfit në shtëpi ndaj Liverpool, “Djajtë e Kuq” mposhtën në transfertë me rezultatin 0-1, Southampton. Golin vendimtar për skuadrën e drejtuar nga trajneri Erik ten Hag e realizoi Bruno Fernandes, ndërsa duket sikur ekipit tashmë i është rikthyer besimi dhe entuziazmi.
Këtë e thekson edhe tekniku holandez pas ndeshjes me The Saints, teksa shprehet se në dy ndeshjet e para ku United doli me kokën ulur nga fusha, skuadrës i mungonte karakteri dhe shpirti i garës. Ten Hag shton se nëse një ekipi i mungojnë këto cilësi, atëherë është e kotë të flasësh për filozofi dhe taktika.
“Një skuadër duhet të adaptohet dhe të gjejë një mënyrë si të fitojë ndeshjet. Këtë bëmë më së miri ndaj Southampton. Në këtë aspekt vuajtëm në dy ndeshjet e para, veçanërisht në atë ndaj Brentford. Kur një ekip nuk jep 100% në fushë dhe nuk ka karakter apo shpirt gare, atëherë është e kotë të flasim për filozofi apo taktika. Në fillim duhet të jetë shpirti i skuadrës dhe përkushtimi në 100%”.
Nga ana tjetër, Ten Hag lë të hapur mundësinë e largimit të Cristiano Ronaldos në këtë merkato teksa shton se nuk e di të ardhmen e luzitanit. “Nuk mund të them se Ronaldo do të qëndrojë, ne do të jemi të vëmendshëm në merkato deri në sekondat e fundit të saj. Nëse do të kemi mundësi të firmosim me ndonjë lojtar, atëherë do të godasim”, përfundoi Ten Hag.



