“Tronditet” Allianz Riviera, Nice e pëson keq nga Marseille
Surprizë ishte ndeshja Nice-Marseille dhe këtu nuk bëhet fjalë për rezultatin, por për tifozerinë, të cilën në përballjet mes këtyre dy skuadrave i kemi parë të papërmbajtshëm dhe duke “dhuruar” skena ekstreme dhune.
Për t’u rikthyer te sfida tashmë, marsejezët kanë marrë fitoren e 60 në 112 ndeshje të zhvilluara ndaj “shqiponjave”, duke triumfuar me rezultatin 0-3.
Skuadra e trajnerit Tudor ishte dominuese e pjesës së parë, ndërsa “tronditi” keq vendasit që në minutën e 10’ me Sanchez që gjeti rrugën drejt rrjetës pas një asisti nga Clauss.
Më pas në minutën e 37’ ishte Tavares që do të shënonte, ndërsa u shërbye nga Guendouzi, duke dyfishuar avantazhin për ekipin e tij. Marsejezët vijuan me sulmet dhe në minutën e 42’ Sanchez do të shënonte dopietë personale dhe njëkohësisht t’i dhuronte golin e tretë miqve.
Në fraksionin e dytë Marseille vijoi të kishte dominim të dukshëm, por përtej këtij fakti kjo pjesë nuk solli më gola, duke bërë që “dhimbja” për tifozët e Nice që kishin mbushur “Allianz Riviera” të përfundonte me tre gola.
Pas raundit të katërt të Ligue 1, Nice renditet në vend të 18-të me 2 pikë, teksa aktualisht Marseille kryeson me 10 pikë, megjithatë duhet theksuar se kampionët në fuqi të Francës, Paris Saint-Germain ende nuk e ka mbyllur këtë javë dhe deri më tani parizienët i kanë pikët e plota.



