Kosovë

Muriqi rrëfehet në “Koha Shtesë”: Nga transferimi rekord te Mallorca, te raporti me Taren (VIDEO)

Dy gola në dy ndeshjet e fundit në La Liga, kundër Betisit, në humbjen 1-2 dhe në fitoren 0-2 në fushën e Rayo Vallecanos. Vedat Muriqi është pikë referimi në sulmin e Mallorcas, klub që e bleu përfundimisht kartonin e tij nga Lazio këtë verë.

Në një intervistë të gjatë me “Koha Shtesë”, në SuperSport, Muriqi rrëfeu dështimin e transferimit te Club Brugge dhe arsyen e nisjes së sezonit në mënyrën më të mirë të mundshme.

Po ju shohim në formë te Mallorca, por edhe të lumtur…
Faktikisht, kur në profesion ecën mirë, sigurisht që do të jesh i lumtur. Jam në Mallorca jo për qejf, por për profesionin dhe shpresoj të vazhdoj kështu. Pata probleme te Lazio, ndaj jam shumë i lumtur tani. Kur njerëzit kanë besim tek unë, ndihem mirë dhe mundohem t’ua shpërblej.

Dukesh më i ambientuar me kampionatin…
Prej janarit jam përshtatur shpejt. Fatmirësisht qëndruam në La Liga dhe ishte një shpërblim për mua që Mallorca kërkoi të më blinte. Kam kontrata katër-vjeçare. Tifozët të duan nëse shënon dhe jep gjithçka për klubin. Shpresoj të vazhdoj me këtë formë, jemi vetëm në javën e tretë.

Keni shënuar dy gola tani, por keni realizuar shtatë gola në total në La liga, cili është çelësi i suksesit?
Vetëbesimi dhe besimi i bashkëlojtarëve, stafit, qytetit, etj. Unë kështu jam si karakter, nëse e ndiej besimin, jap gjithçka për t’ua shpërblyer. Me tifozët dhe më shokët jam duke e kaluar shumë mirë. Kur dal në qytet, më presim mirë, megjithatë është shumë herët për të folur, janë edhe 35 javë.

Para se të transferoheshit te Mallorca, dështuat të kalonit të Brugge… Çfarë ndodhi realisht atëherë?
E vërteta është se ishte lojë e klubit belg për të ulur çmimin, gjë kjo aspak profesioniste. Kam bërë disa transferime që merrnin kohë, ndërsa me Club Brugge u arrit gjithçka në 3-4 ditë dhe u habita, pasi isha edhe me pushime. Kisha një ndjenjë të keqe, pasi kur mbërrita në aeroport nuk kishte asnjë pjesëtar të klubit, por vetëm menaxherët. Po mendoja se nuk mund të ndodhte kështu, përderisa do të isha blerja rekord për klubin. Më vendosën në një vile, pasi mesa duket s’kishte asnjë hotel, por pranova. Nuk mora asnjë mirëseardhje dhe ditën e vizitave ishte vetëm doktori i klubit që do të bënte testet. Ajo që thanë ata është një test me maskë dhe nëse nuk ke bërë stërvitje e ke të vështirë të kalosh kufirin. U thashë se jam pa stërvitje dhe nuk dua të kem të njëjtat probleme dëmtimi si te Lazio në fillim, ndaj e ndërpreva. Më pas më thanë se s’munda të kaloja testet mjekësore. Mendova mos kisha probleme me zemrën, por jo më thanë kisha te testet fizike. Pastaj kërkuan të më huazonin, pasi kështu mund të ulej çmimi i kartonit, por unë u ndjeva keq dhe fola me drejtuesit e Lazios. I jam mirënjohës Igli Tares, që më ka mbështetur që ditën e parë dhe pasi i tregova historinë, më mbështeti e më tha se do të flisnin drejtuesit e Lazios me ata të Club Brugge. Më pas u ktheva në stërvitje dhe ja ku jam sot.

Cili iu shtyu të ktheheshit te Malloca?
Mallorca kishte si opsion blerjen time. Kur fola me drejtorin sportiv, më tha se nuk mund të më blinin për këtë shumë. Mallorca nuk arriti ta paguante atë shumë. Më pas pata 4-5 oferta serioze, por pas asaj që ndodhi te Brugge, drejtori i Mallorcas më tha se të dua këtu, pa pyetur fare se cilat ishin problemet fizike. Është krenari që jam blerja më e shtrenjtë e Mallorcas, duke kaluar edhe Samuel Eto’o. Të gjithë e dinë cili është Eto’o.

Jeni pjesë e Mallorcës përgjithmonë, a ka ndryshuar koncepti i lojës sulmuese, me ju si pikë referuese në sulm?
Për mua si sulmues duhet të përshtatem siç e kërkon trajneri. Vjet loja bëhej direkt me mua, sepse nuk duhej të pësonim, por sivjet ata e dinë cila është arma ime, ndaj po mundohemi për të rregulluar lojën në tokë, pasi në sulm ok mund të luftoj. Për momentin nuk shoh që loja po bazohet tek unë. Nuk të vijnë shumë raste te Mallorca. Është një taktikë të luash me topa të gjatë, unë jam komod dhe shpresoj të vazhdoj kështu.

A po të pëlqen nofka “Pirati i Mesdheut”?
Po më pëlqen, por te Fenerbahce më thërrisnin kanibali, kurse te Lazio Igli Tare ma vuri Pirati. Po më pëlqen.

Si e vlerësoni suksesin e Ballkanit, që shkroi historinë, duke shkuar në grupet e Conference League?
Arritje fenomenale e Ballkanit, që hapi një portë dhe mund të jenë të tjera skuadra nga Kosova në të ardhmen, që të bëjnë të njëjtën gjë. Uroj pse jo të kalojë edhe grupet. Njerëzit ishin krenarë vetëm për Kombëtaren. Është një arritje e jashtëzakonshme falë punës së presidentit dhe të futbollistëve. Ballkani ka 4-5 vite që po punon, nga presidenti, te futbollistët që meritojnë shumë. Do të jetë përvojë shumë e rëndësishme për lojtarët.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency