Southamptoni përmbys rezultatin në “Saint Mary’s Stadium”, Tuchelin nuk e shpëton as Broja (video)
Chelsea pëson humbjen e dytë radhazi në transfertë në Premier League, duke ngritur shumë pikëpyetje mbi potencialin e “Bluve” të Londrës në këtë sezon. Skuadra e Thomas Tuchelit u mposht me përmbysje 1-2 nga Southamptoni në një sfidë të veçantë për Armando Brojës, që u aktivizua për në fund të takimit kundër ish-skuadrës së tij, por përtej disa shkëndijave që dha në fushë, nuk ia doli të ndryshonte fatin e ndeshjes.
Chelsea e zhbllokoi që në minutën e 23-të sfidën përballë Southamptonit në “Saint Mary’s Stadium” falë golit të Raheem Sterling, pak metra larg portës. Vetëm pas çaste para këtij goli ish-sulmuesi City-t humbi një rast të mirë, duke u bllokuar në momentin e fundit nga mbrojtja.
Trajneri i Chelsea-t ka grumbulluar për këtë ndeshje edhe Armando Brojën, por nuk ka preferuar ta aktivizojë në formacionin titullar. Kujtojmë që Brojas, sezonin e kaluar luajti i huazuar pikërisht të Southamptoni, ku shkëlqeu me 6 gola në 32 ndeshje në Premier League.
Gjithsesi, epërsia e “Bluve” të Londrës zgjati pak minuta, pasi Lavia shfrytëzoi një pasiguri të mbrojtjes, duke mposhtur portierin Mendy.
Chelsea, çuditërisht, e pa veten në disavantazh sapo nisi koha shtesë e fraksionit hapës: Armstrong, u gjend i pambuluar në zonë, me Edouard Mendy që mposhtet për herë të dytë në këtë mbrëmje. Një përmbysje e merituar e rezultatin nga shenjtorët para se skuadrat të shkonin në dhomat e zhveshjes për pushimin mes pjesëve.
Në minutën e 66-të, Tuchel aktivizoi Armando Brojën në vend të Azpilicuetas. Vetëm pak sekonda në fushë dhe Broja shpërtheu në krahun e djathtë, duke shkaktuar panik në zonën e vendësve, por pa mundur të pasojë për shokët e skuadrës.
Tjetër shkëndijë nga Broja në minutën e 82-të, por goditja me kokë nga “bomberi” shqiptar devijohet me vështirësi në fundore nga portieri vendës.



