Chelsea triumfon në “Stamford Bridge”, Broja rreth 40 minuta në fushë
Chelsea diktoi ritmin në sfidën me West Ham në “Stamford Bridge”, megjithatë marrja e tre pikëve ishte një sfidë e vërtetë për skuadrën e Thomas Tuchel.
Pjesa e parë u mbyll me barazim pa gola, me “blutë” e Londrës që nuk ditën t’i shfrytëzonin rastet.
U desh minuta e 62’ e lojës që Antonio të gjente rrugën drejt rrjetës dhe t’i jepte avantazhin ekipit të Moyes.
Megjithatë në minutën e 76’ Chelsea u kundërpërgjigj me Chilwell, i cili pas një asisti nga Silva i dhuroi barazimin vendasve. Ndërsa Havertz përmbysi gjithçka në minutën e 88’, duke i dhuruar Chelsea-t një fitore shumë të rëndësishme.
West Ham tentoi të gjente barazimin në minutën e 90, por VAR anuloi golin e Cornet për shkak të një faulli.
Pas raundit të gjashtë të Premier League Chelsea renditet në vend të pestë me 10 pikëm teksa West Ham qëndron në vend të 17 me vetëm 4 pikë të grumbulluara.
Minuta në këtë sfidë pati edhe për sulmuesin e kombëtares shqiptare, Armando Brojën që hyri në fushën e lojës në minutën e 60’ si zëvendësues i Gallagher, pra luajti rreth 40 minuta bashkë me shtesën, pasi kjo sfidë pati plot 8 minuta shtesë, por pa mundur të shënonte.



