Europa League

Rikthehet magjia e Europa League, dy skuadra angleze favorite për triumfin në Budapest

Europa League do të rikthehet për të dhuruar sërish spektaklin dhe magjinë e futbollit evropian. Si asnjëherë më parë, edicioni do të ketë pjesëmarrës emra të mëdhenj klubesh me traditë në kontinentin evropian si Manchester United, Arsenal dhe Roma por pa harruar edhe skuadrat që do të vijnë si vendet e treta të Champions League.

Me finalen që do të zhvillohet në Puskas Arena të Budapestit pritet një rrugëtim kompetitiv dhe i gjatë për ekipet që do të luajnë një herë në javë deri më 20 Nëntor, për t’i lënë vendin më pas Kupës së Botës. Arsenal dhe Manchester United do të shpresojnë te kontigjenti i madh i lojtarëve për të përballuar kalendarin e ngjeshur ndërsa rikthimi në Champions League mbetet objektivi kryesor i anglezëve, edhe fitimi i Europa League do të paraqiste një mundësi ideale për të prekur sërish kompeticionin më elitar.

Eintrach Frankfurt ishte fituesi surprizë i edicionit të fundit ku mposhti në një finale dramatike skocezët e Rangers në Sevilla. Surpriza është se katër fituesit e fundit të turneut e kanë nisur rrugëtimin në Europa League, teksa klubi i fundit që ka zbritur nga grupet e Champions League dhe ka dalë triumfues në kompeticionin e dytë për nga rëndësia ishte Atletico Madrid në 2018.

Për të nisur edhe nga favoriti kryesor siç kuotohet edhe nga bookmakersat, Arsenali. Topcinjtë e Londrës e nisin me pretendime madhore edicionin e 14-të të Europa League. Pas një starti të vrullshëm të kampionatit me pesë fitore radhazi, Arsenal u mund në Old Trafford nga Man.United, megjithatë për të lënë pas humbjen do të shpresojë në një nisje të mirë në transfertë ndaj Zurich. Të gjitha kundërshtarët e Topcinjve vijnë nga raundet eliminatore të Champions League ndërsa në grup gjenden edhe PSV Eindhoven dhe Bodo Glimt. Marrë në konsideratë organikën cilësore të 13-herë kampionëve të Anglisë pritet që skuadra e drejtuar nga Arteta të jetë nga ekipet që i shkojnë deri në fund kompeticionit.

Skuadra e dytë pretendente për fitimin e Europa League është Manchester United. Triumfues në 2017 dhe vendi i dytë në 2021 në këtë kompeticon është një tregues i qartë i raportit të mirë të “Djajve të Kuq” me kompeticionin e dytë për nga rëndësia. United “peshkuan” kundërshtarë të lehtë në short dhe pritet ta kalojnë pa probleme grupin që përbëhet nga Real Sociedad, Omonia dhe Sheriff Tiraspol. Nën drejtimin e Erik ten Hag kanë një rritje të konsiderueshme dhe investimet madhore në merkato me lojtarë si Anthony, Casemiro, Martinez dhe mbajtja e Cristiano Ronaldos i japin një shtysë ekipet sa i takon shanseve për të koleksionuar trofeun e dytë të Europa League.

Ashtu siç ndodhi edhe në sezonin e kaluar të Conference League, Roma e nisi pa shumë pretendime dhe në fund ia doli të ngrejë trofeun në qiellin e Tiranës. Edhe në këtë edicion vijnë të tretët në listën e favoritëve por skuadra e konsoliduar dhe afrimet e lojtarëve me eksperiencë në verë si Dybala, Matic apo Wijnaldum rrisin ndjeshëm entuziazmin te kryeqytetasit që synojnë triumfin në kompeticionet evropiane për të dytin vit radhazi. Të shortuar në grup me Ludogorets, Helsinkin dhe Real Betisin, të besuarit e Jose Mourinhos pritet që të respektojnë parashikimet dhe të kalojnë në fazën me eliminim.

Rivalët e qytetit të Romës, Lazio apo dhe Monaco mund ta nisin edicionin me synim kryesor triumfin por statistikat e 11 viteve të fundit sugjerojnë se Europa League është fituar vetëm nga skuadrat angleze, gjermane dhe spanjolle.

Duke filluar nga faza e grupeve e deri në finalen e madhe të Budapestit, Europa League mund ta ndiqni drejtpërdrejt në ekranin e Supersport, me kanale të dedikuara për ndeshjet kryesore, emisionet dhe golat direkt, ku nuk mund të humbisni asnjë moment dhe të qëndroni gjithmonë pranë magjisë së futbollit evropian.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency