Champions League

Bayerni i tregon “dhëmbët” Interit, Lewa lider i Barçës, Napoli turpëron Liverpoolin

Bayerni i Mynihut fiton duelin e madh me Interin në raundin e parë të ndeshjeve në grupe në Champions League. Kampionët e Gjermanisë treguan se mbeten favoritet kryesore për të fituar Grupin C, ku bëjnë pjesë edhe Barcelona e Victoria Plzen. Në “San Siro” vendosi goli i Leroy Sane në fraksionin e parë dhe autogoli i D’Ambrosios në pjesën e dytë.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi Barcelona shkatërroi 5-1 Victoria Plzen, me Robert Lewandowskin protagonist absolut në “Camp Nou”. “Bomberi” polak realizoi tre gola, ndërsa dy finalizimet e tjera të “blaugranave” mbajnë firmat e Kessie-t dhe Ferran Torresit. Golin e vetëm të miqve e shënoi Sykora.

Humbje turpëruese 4-1 e Liverpoolit në fushën e Napolit, në sfidën që i përket Grupit A. Edhe pse Osimhen humbi 11-metërsh në minutën e 18-të, skuadra italiane realizoi tre gola në pjesën e parë. E nisi Zielinski, para penalltisë së humbur, më pas shënuan Anguissa dhe Simeone. Në fillim të pjesës së dytë realizoi sërish Zielinski për rezultatin përfundimtar 4-1.

Tottenhami i Contes triumfoi 2-0 ndaj Marseille me të dy golat të shënuar nga Richarlison, ndërsa Atletico Madrid fitoi në shtesë 2-1 ndaj Portos me golin e Hermosos (90+1′) dhe të Griezmannit (90+11′) në limitet e shtesës, ndërsa golin e barazimit të përkohshëm e shënoi Uribe me penallti (90+6′)

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency