Chelsea zyrtarizon pasuesin e Tuchel, te “Blutë e Londrës” nis epoka Potter!
Chelsea nuk ka humbur kohë, por menjëherë ka zyrtarizuar pasuesin e Thomas Tuchel teksa tashmë skuadra do të kalojë në duart e Graham Potter. 47-vjeçari që ishte në krye të Brighton prej vitit 2019, bindi drejtuesit e “Bluve të Londrës” me punën e bërë aty dhe tashmë anglezi nis aventurën më të rëndësishme në karrierë teksa firmos një kontratë pesëvjeçare.
Në fjalët e para si trajner i Chelsea, Potter theksoi se ndihet krenar për detyrën e re ndërsa shtoi se mezi pret të punojë me një grup shumë të mirë futbollistësh.
“Jam shumë krenar dhe njëkohësisht i emocionuar të prezantoj Chelsean, këtë klub fantastik. Jam shumë i lumtur që do të bashkëpunoj me drejtuesit e rinj të Chelsea dhe mezi pres të nis e të punoj me një grup shumë të mirë futbollistësh. Kështu të mund të zhvilloj skuadrën dhe t’i bëj tifozët e lumtur dhe krenar. Dua të falenderoj edhe personat me të cilët bashkëpunova te Brighton që më lejuan mundësinë e një eksperience të tillë”, u shpreh Potter.
Sakaq, në prezantimin e Potter, prezent ishte edhe presidenti Todd Boehly i cili theksoi se 47-vjeçari është një trajner që i ka vërtetuar cilësitë e tij. “Jemi shumë të lumtur që Potter është në krye të Chelseat, është një trajner që e ka vërtetuar kualitetin e tij. Është nga ata trajnerët inovatorë të Premier League dhe që i përshtatet vizionit të klubit tonë.
Ai është i zoti me taktikat në fushë, pork a aftësi që shkojnë edhe përtej fushës të cilat do ta ndihmojnë Chelsean të bëhet një klub edhe më i suksesshëm. Potter ka pasur një impakt të madh në klubet e mëparshme dhe e presim këtë edhe tek Chelsea. Ne do ta mbështesin atë dhe stafin e tij, si dhe skuadrën në mënyrë që në muajt e vitet në vijim të arrijë potencialin e plotë”, përfundoi Boehly.



