Serie A

Maldini vazhdon punën për rinovimet, shqetëson situata me Leaon

Me merkaton e mbyllur tashmë, Paolo Maldini ka përqendruar punën te rinovimet dhe në harkun e pak ditëve ka firmosur kontratat e reja me mesfushorët Rade Krunic e Sandro Tonali, të cilët do të veshin fanellën kuqezi edhe për disa vite të tjera.

Megjithatë puna nuk mbaron këtu, pasi objektivi i radhës është firma mbi kontratën e re me qendërmbrojtësin e talentuar Kalulu dhe sulmuesin portugez Rafael Leao, të cilët janë rritur shumë në dy sezonet e fundit.

Francezi 22-vjeçar ka edhe tre vite kontratë dhe te Milani janë gati t’ia rinovojnë bashkëpunimin për shumë për t’i përmirësuar pagën, pasi nuk e kanë me nxitim, por situata është krejt ndryshe me Leaon.

Ky i fundit ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të mëdha europiane, me Chelsean në krye dhe ka kontratë me Milanin deri në verën e 2024-ës, por nëse nuk rinovon brenda këtij sezoni, atëherë kuqezinjtë do të detyrohen ta shesin shumë më lirë verën e ardhshme.

Aktualisht Leao përfiton një pagë qesharake krahasuar me kontributin e tij në fushë, pak më shumë se një milionë euro, ndërsa Maldini është gati t’i ofrojë deri në 5 bashkë me bonuset, për ta blinduar deri në verën e 2027-ës.

Nga ana tjetër, menaxheri i Leaos, Jorge Mendes e ka bërë të qartë se nuk do të negociojë për më pak se 7 milionë euro, duke komplikuar jo pak situatën. Megjithatë Maldini synon që të sistemojë gjithçka para Botërorit të Katarit, pasi një paraqitje e mirë atje për Leaon, do ta komplikonte edhe më shumë punën.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency