Vëllezërit Williams vulosin fitoren e Bilbaos, e pëson Rayo Vallecano i Balliut
Tifozët në “San Mames” kanë shijuar spektaklin e dhuruar nga vëllezërit Williams, të cilët ishin protagonsitë në fitoren 3-2 të Athletic Bilbaos ndaj Rayo Vallecanos në takimin e javës së gjashtë të La Liga-s.
Miqtë ishin të parët që gjetën rrugën drejt rrjetës, duke zhbllokuar rezultatin në minutën e 5’, me Trejon që realizoi pas një asisti nga Camello.
Pas këtij goli nisi malorja për skuadrën ku luan edhe mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Ivan Balliu, për fraksionin e parë të sfidës. Në minutën e 14’ Inaki Williams i dhuroi barazimin Bilbaos, duke shënuar një super gol pas asistit të dhënë nga Garcia.
14 minuta më pas, Sancet përmbysi gjithçka dhe realizoi golin e dytë për ekipin e Valverde. Ndërsa në minutën e 33’ do të ishte sërish një Williams që do të shënonte, por këtë herë ishte Nico ai që shënoi për vendasit, me mbrojtjen e Rayo Vallecanos që bëri gabime të një pas njëshme.
Pjesa e dytë foli më shumë për Rayo Vallecanon, me skuadrën e Iraola që gjeti rrugën drejt rrjetës në minutën e 64’, por pas një verifikimi në VAR goli u anulua për pozicionin jashtë loje të Camello.
Vëllezërit Williams tentuan në disa raste që të thellonin rezultatin, megjithatë pa mundur të kishin sukses. Ndërkohë ishte Rayo që do të gjente sërish golin, me Falcao që realizoi golin e dytë për ekipin e tij dhe ngushtoi diferencën.
Balliu pati një mundësi për të gjetur rrugën drejt rrjetës dhe drejt barazimit në minutën e 90+6’, megjithatë mbrojtësi “kuqezi” u neutralizua nga Simon.
Pas këtij takimi Bilbao ngjitet në vend të tretë me 13 pikë, teksa Rayo Vallecano mbetet në kuotën e 7 pikëve në vendin e 11-të.



