“A jeni në terezi? Çmenduri shkarkimi i Allegrit”, drejtuesit e Juves kundër tifozëve
Juventusi pësoi humbjen e parë sezonale në kampionat, teksa numëron vetëm dy fitore në shtatë javë. Bardhezinjtë u mposhtën 1-0 kundër Monzës, që siguroi triumfin e parë historik në Serie A.
Skuadra e Max Allegrit vazhdon të dhurojë një futboll të dobët, tifozët po presin me padurim shkarkimin e trajnerit livornez, por ndryshe mendojnë drejtuesit e Juves.
CEO i klubit italian, Maurizio Arrivabene e cilëson çmenduri mundësinë e shkarkimit të Allegrit. “Ndërrimi i trajnerit do të ishte absolutisht çmenduri. Sot, problemet duhen parë në 360 gradë.

Ne kemi dalë nga vite të vështira që kanë peshuar, jo vetëm në futboll. Një klub si Juventusi nuk mund të bëjë prova. Allegri nuk ka vetëm një kontratë me ne, por është pjesë e një projekti 4-vjeçar.
Nëse duhet të kërkoni një fajtor, ai jam unë. Ne kemi nevojë për përulësi, qartësi dhe vendosmëri. E pranoj, ne kemi probleme, por nuk mund të akuzojmë vetëm një person. Ta lëmë të qetë Allegrin”, deklaroi Arrivabene.



