“Prisja që Inzaghi t’i besonte më shumë Asllanit, tani debuton si titullar ndaj Romës”
Kristjan Asllani do të luajë sfidën e parë si titullar me Interin, ekip ku u transferua në merkaton e verës nga Empoli. Dëmtimi i Marcelo Brozovic i ka hapur rrugën aktivizimit të mesfushorit shqiptar nga minuta e parë në duelin e fortë përballë Romës në “San Siro”.
Vetë trajneri Inzaghi deklaroi në prononcimin për shtypin se 20-vjeçari do të zbresë në fushë si titullar në takimin e ditës së sotme ndaj skuadrës së Jose Mourinhos (18:00).
Të gjithë tifozët shqiptare shpresojnë që Asllani të bëjë mirë në duelin ndaj ekipit kryeqytetas, ndërkohë që gazetari italian, Mario Sconcerti, është ndalur edhe te lojtari i kombëtares shqiptare në prononcimin për TMW Radio rreth takimit Inter-Roma.

“Prisja që Inzaghi t’i besonte më shumë Asllanit, ndërkohë që lojtari e sheh veten të debutojë si titullar në ‘San Siro’ kundër Romës. Ndoshta mund t’i jepej më shumë kohë deri tani.
Dueli? Interi dhe Roma janë skuadra që mund të përfundojnë kampionatin në katër vendet e para, por duhet të japin më shumë. Roma ka një skuadër interesante, por duhet të gjejë më shumë personalitet në fushë”, theksoi Sconcerti.



