“Auba vendimtar”, Potter: Milani na rrezikoi pak, Chelsea plot lojtarë fantastikë
Chelsea fitoi 3-0 përballë Milanit në “Stamford Bridge”, takim ku djemve të Graham Potter u mjaftoi një orë lojë për të shënuar golat dhe për të siguruar suksesin e parë në Champions League.
Triumfi i parë europian edhe për 47-vjeçarin anglez, i cili futi në fushë edhe Armando Brojën në minutën e 74’. Potter theksoi në prononcimin pas ndeshjes se goli i dytë, i cili u realizua nga Aubameyang, ishte vendimtar për fitoren.
“Në minutat e para të pjesës së dytë vuajtëm disi, gjë që është pozitive. Më pas goli dytë na çliroi, na mbushi me frymë. Në përgjithësi nuk mund të qahemi: ruajtëm portën të paprekur, shënuam 3 gola dhe lojtarët shfaqën personalitet të madh.
Djemtë ishin vërtet të hapur, të përgjegjshëm dhe të ndershëm, është fantastike të punosh me ta. Përveç fundit të pjesës së parë, Milani nuk pati shumë raste, kjo tregon shumë për ekipin tim.
Arritëm një fitore të rëndësishme, por kemi ende rrugë për të bërë në këtë kompeticion”, theksoi Potter. Grupi E kryesohet nga Salzburgu (5), më pas renditen Chelsea (4), Milan (4) dhe Dinamo Zagreb (3).



