D. Zagreb: Eliminoi Mlladën, Skënderbeu ekip cilësor
Stafi teknik i Dinamos së Zagrebit shmang euforinë pas hedhjes së shortit të Europa Leagues që u rezervoi kroatëve si kundërshtar Skënderbeun. Më konkretisht, trajneri Mario Cvitanovic, i emëruar në këtë detyrë në muajin korrik, thekson se skuadra e tij duhet ta vlerësojë në maksimum skuadrës më të mirë shqiptare të viteve të fundit.
“Duhet të kemi respekt maksimal për kundërshtarët tanë dhe të shikojmë veten tonë, që të përmirësohemi më shumë. Vetëm në këtë mënyrë do ta kemi më të lehtë kualifikimin. Skënderbeu e ka dominuar prej shumë vitesh futbollin shqiptar. Eliminuan Mllada Boleslavin pas goditjeve të 11-metërshave dhe kjo do të thotë se janë një skuadër me cilësi.”
Kur dy vite më parë Dinamo e Zagrebit e eliminoi Skënderbeun në fazën Play Off të Championsit me rezultat të përgjithhëm 6-2, kroatët drejtoheshin nga Zoram Mamic. Edhe pse jo me statusin e kampiones së Kroacisë, Dinamo shihet sërish si favorite përballë korvarëve.
“Nuk mund të them se ne jemi favoritë, sepse para se të shprehem më duhet të marr më shumë informacione për Skënderbeun. U përballëm me këtë skuadër dy vite më parë dhe i eliminuam, por në futboll dy sezone janë shumë dhe skuadrat kanë ndryshuar. Krahasimi duke u bazuar në të kaluarën nuk është i saktë”.
Përballja e parë do të zhvillohet me 17 gusht në statiumin Maksimir, ndërsa sfida e kthimit një javë më pas në “Elbasan Arena”.



