Daja nuk nënvlerëson Dinamon
Dita e revanshit po afrohet teksa Skënderbeu do të udhëtojë drejt Zagrebit me misionin për të tentuar fazën e grupeve ndaj gjigandit të futbollit kroat, Dinamo. Shorti nuk u tregua shumë bujar edhe pse skuadra më e famshme në kroaci ka humbur shkëlqimin e dy viteve më parë, kur eleminonte Skënderbeun nga faza Play-Off në Champions League. Trajneri Ilir Daja po pregatit skuadrën me idetë e tij për tiu kundërpërgjigjur në fushë kundërshtarit. Në konferencën për shtyp natyrshëm kërkohen paralelizmat midis dy periudhave, dicka që trajneri i korcarëve e eviton me diplomaci.
“Nuk jam unë njeriu i duhur për të bërë krahasimet pasi nuk kam qënë trajneri në atë periudhë. Ne do bëjmë shumë gabim nëse mendojmë se Dinamo e tanishme është më e dobët se ajo e para dy viteve.”
Megjithatë jo të gjithë kanë të njëjtin mendim, pasi mbrojtësi Marko Radas, një produkt i shkollës së Dinamos së Zagrebit tregohet më i drejtpërdrejt përsa i përket krahasimit të kundërshtarit me atë të dy viteve më parë.
“Mendoj se ishte më i fortë përpara dy viteve. Por këto dy javë ata kanë ngritur shumë formën e tyre madje duke mposhtur edhe Rijekën dhe mendoj që janë sërish të fortë.”
Nga Skënderbeu është larguar mesfushori Afrim Taku, teksa është i gatshëm sulmuesi Soue. Trajneri Ilir Daja eviton të zbulojë drejtpërdrejtë formacionin por duke konfirmuar Souen në majën e sulmit.
“Lojtarët e dijnë se kush luan nga fillimi pasi kemi punuar taktikisht gjatë kësaj kohe. Besoj që Soue do ta nisë titullar pasi është përshtatur menjëherë me grupin.”



