Fraza fyese, gazetari kroat u kërkon falje shqiptarëve
“Ka kaluar koha kur i njihnim shqiptarët për shitës akulloresh dhe ëmbëlsirash”. Një frazë që krijoi një furtunë të vërtetë mediatike në Kroaci. Ishte gazetari i televizionit HRT, Stjepan Balog ai që adresoi fjalinë deri diku fyese në adresë të shqiptarëve gjatë ndeshjes Dinamo Zagreb-Skënderbeu, por një gjë e tillë nuk kaloi pa bërë zhurmë në Kroaci por edhe më gjerë. Faqja e internetit, “tportal.hr” e cilësoi si shovinizëm këtë qëndrim të gazetarit. Kjo frazë madje nuk kaloi pa u vënë re edhe në vendin tonë, ndërsa klubi i Skënderbeut priti një reagim zyrtar të vetë gazetarit që ka bërë një hap pas duke kërkuar publikisht falje. Klubi korçar bën me dije se në selinë e bardhekuqve ka mbërritur një letër e frmsuyr nga gazetari i televizionit HRT.
Sipas klubit korçar, Z. Balog kërkon falje klubit dhe gjithë Shqiptarëve të prekur nga fjala e tij, por sipas Balog asnjë moment nuk ka dashur të ofendojë popullin tonë e më tepër të ndikojë në mardhënien e mirë mes Shqipërisë dhe Kroacisë. Mes të tjerash, Balog e pranon se ka marrë mesazhe të shumta nga shqiptarët për komentin e tij por ai shton se nuk ka pasur qëllim fyerjen e popullit shqiptar. “I kërkoj falje të gjithëve dhe nuk dëshiroj që një frazë e gabuar të ndikojë në miqësinë e mirë mes dy popujve. Unë e di shumë mirë që shumë shqiptarë kanë luftuar për lirinë e Kroacisë. Ju lutem ta shpërndani mesazhin tim dhe faljen time në gjithë median shqiptare”, nënvizon gazetari kroat në letrën adresuar jo vetëm Skënderbeut por gjithë shqiptarëve.



