Xhevahir Sukaj qetëson tifozët, mund të jetë gati kundër Flamurtarit
Xhevahir Sukaj do të jetë në dispozicion të trajnerit Mark Iuliano, duke filluar që prej mesjavës së ardhshme. Sulmuesi i Partizanit, që nuk u grumbullua për transfertën me Vllazninë për shkak të një dëmtimi, u shpreh në mikrofonin e emisionit “Gol Pas Goli”, se, sipas të gjitha gjasave, do të jetë gati për sfidën e ardhshme kundër Flamurtarit.
“Dëmtimi, sikurse ishte parashikuar do të më mbajë jashtë vetëm 15 ditë. Mesjavën e ardhshme, pra rreth të mërkurës, do të nis stërvitjen me skuadrën për të qenë gati për takimin e radhës me Flamurtarin, por sigurisht gjithcka do të varet nga ecuria në stërvitje.”
Në vijim të intervistës, ai mbrojti punën e bërë nga Vllaznia edhe pse skuadra ka kaluar momente jo shumë pozitive, që kulmuan me largimin e trajnerit Armando Cungu.



