Spalletti vlerëson Sampdorian: Giampaolo është shumë i zoti
Të shtunën në San Paolo ndaj Napolit, Interi ndali serinë e fitoreve por në të njëjtën kohë mori një barazim me shumë vlera përballë skuadrës që kryeson kampionatin italian duke i vendosur stërkëmbëshin e parë, Napolit të Sarrit në këtë sezon. Këtë të martë zikaltërit do të zbresin sërish në fushë teksa do të përballen në San Siro me një nga skuadrat që kanë surprizuar më shumë në këtë fillim sezoni, Sampdorian e Marco Giampaolos. Është i vetëdijshëm për forcën e kundërshtarit Luciano Spalletti por trajneri i Interit ka besim te futbollistët që ai drejton.
“ Nga sfida me Napolin kemi dalë më të fortë dhe kemi fituar më shumë besim në vetëvete. Më kanë pëlqyer shumë gjëra në atë ndeshje por në të njëjtën kohë duhet të gjesh gjithmonë diçka të cilën mund ta përmirësosh. Ky që kam aktualisht është grupi i futbollistëve më i mirë që kam patur ndonjëherë në dispozicion në karrierën time si trajner. Sampdoria është e fortë ndërsa Giampaolo është një trajner shumë i zoti. Nuk e di nëse do të bëj rotacion ndaj Sampit është e vështirë ta them këtë gjë për momentin”, deklaroi Luciano Spalletti.



