Kategoria Superiore

Milinkovic: Respekte për Gjokën, por fiton Kukësi im!

Mladen Milinkovic përballë Ernest Gjokës, trajnerit që shpalli për herë të parë Kukësin kampion të Shqipërisë. Asgjë përsonale, përkundrazi, trajneri serb e konsideron kreun e stolit të Vllaznisë një koleg të suksesshëm, që do të synojë të bëjë dicka të mirë edhe te “kuqeblutë”

“Nuk shoh të kem sfidë me Gjokën. E konsideroj si një koleg të suksesshëm, që vjet bëri gjithcka mirë dhe doli kampion. Gjoka do të kërkojë të bëjë dicka të mirë edhe me Vllazninë dhe të tregojë se është trajner i suksesshëm. Edhe kundër Luftëtarit dhe ndaj Vllaznisë përballemi në një moment kur kundërshtarët kanë ndërruar trajnerët. Ne do të kërkojmë të marrim maksimumin, sic ia dolëm në Gjirokastër.”

Gjoka vlerësohet shumë nga tifozët verilindorë, por Milinovic është i bindur që në “Zeqir Ymeri”, përtej respektit për teknikun kundërshtar, do të mbështesin Kukësin.

“Për mua rëndësi ka të fitojmë ndeshjen. Sic më mirëpritën në Gjirokastër, ashtu do ta mirëpresin edhe Gjokën në Kukës. Por jam i sigurt që tifozët do të mbështesin skuadrën tonë. Vllaznia është një ekip që luan futboll pa ndrojë dhe kërkon pikë. Me gjithë respektin që kemi, do të luajmë futboll të bukur dhe do të marrim fitoren. Nuk e di nëse do të luajë Shtubina, nëse do ta shohim të nevojshme, do ta hedhim në fushë.”

Milinkovic shpjegoi më tej se luhatjet e vazhdueshme në lojën e Kukësit lidhen vetëm me mungesat e shumta në skuadër.

“Kemi shumë luhatje në lojë edhe për shkak të lojtarëve të dëmtuar. Kur të riaftësohen të gjithë, besoj se do ta minimizojmë këtë difekt. Ka shumë rëndësi të paraqitemi sa më mirë dhe të grumbullojmë sa më shumë pikë deri në fund të vitit.”

A pret trajneri i Kukësit një “dhuratë” nga ish-skuadra e tij, Luftëtari, që luan në transfertë me Skënderbeun?

“Lojtarëve u kam thënë që e rëndësishme është të bëjmë punën tonë. Nëse ndonjë ekip tjetër ndal Skënderbeun apo rivalët tanë të tjerë, aq më mire për ne. Nëse nuk marrim pikët në ndeshjet tona, s’mund të pretendojmë të përfitojmë nga ndalesa e rivalëve.”

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency