Futboll

FIFA planifikon rregullore të re, Januzaj te Kosova?

FIFA po konsideron mundësinë e ndryshimit të rregullores së aktivizimit të lojtarëve me skuadrat përfaqësuese. Sipas BBC, institucioni më i lartë i futbollit do të kërkojë të bëhet më fleksibël në këtë aspekt sepse aktualisht edhe nëse një lojtar ka luajtur vetëm pak sekonda me një kombëtare, nuk mund të ndryshojë më destinacion. Propozimi është bërë nga federata e Bregut të Gjelbër por FIFA po e analizon seriozisht mundësinë që lojtarët me pak minuta në këmbë në maksimalisht dy ndeshje zyrtare, të kërkojnë të ndryshojnë fanellë. Ky vendim mund të merret për të bllokuar edhe taktikën e kombëtareve të mëdha që i djegin lojtarët e talentuar duke i aktivizuar në ndeshje zyrtare dhe më pas nëse ata nuk rriten profesionalisht, humbasin mundësinë për të përfaqësuar vendin e origjinës. Këtë manovër e ka përdorur Spanja në vitin 2014 me të riun Munir por rastet janë të panumërta. Del Bosque e aktivizoi lojtarin në një ndeshje ndaj Maqedonisë dhe që prej asaj kohe ai numëron vetëm 13 minuta me kombëtaren La Roja.

Gjithsesi, raste të tilla lidhen edhe drejtëpërdrejtë me lojtarë shqiptarë. Në teori edhe mesfushori Adnan Januzaj mund të marrë një vendim për të braktisur Belgjikën dhe për t’u bashkuar me Kosovën dhe ndoshta edhe me Shqipërinë. Gjithsesi nëse FIFA e aplikon këtë rregull, atëherë vendimi përfundimtar i takon lojtarit që tre vjet më parë zgjodhi Belgjikën dhe aktualisht pasaportë të dytë ka vetëm atë të Kosovës. Përsa i përket rrezikut të mundshëm që mund t’i kanoset kombëtares shqiptare, emri i vetëm me një ndeshje zyrtare është mbrojtësi Ivan Balliu i cili zotëron edhe pasaportë spanjolle dhe mundësia që ai të lakohet si emër për kombëtaren iberike është relativisht e vogël. Emra të tjerë të njohur të arënës ndërkombëtare janë Papu Gomez që mund të zgjedhë Italinë, braziliani Ederson i cili gjithashtu mund të bashkohet me Portugalinë, Bojan Krkic për të cilin mund të hapet dera e Serbisë por edhe Toliso te Togo e Gonzalo Castro i cili është aktivizuar shumë pak minuta me Gjermaninë dhe Spanja mund të jetë një alternativë me rregulloren e re.

 

 

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency