“Hakmerret” Gjoka, Vllaznia i merr pikë Kukësit në “Zeqir Ymeri”
Vllaznia e Ernest Gjokës jep shenja jete, ndërsa Kukësi i Milinkovicit humbet terren ndaj Skënderbeut në garën për titull. Përfundoi në barazim 2-2 përballja mes kampionëve në fuqi dhe “kuqebluve”, rezultat që zhgënjen “verilindoret”, por u jep zemër e moral shkodranëve, pas një serie të gjatë rezultatesh negative.
Vllaznia shtang të pranishmit në “Zeqir Ymeri” që në minutën e 7-të, me Atsinën që përfitoi nga një top i kthyer nga shtylla, duke e dërguar me lëhtësi topin në rrjetë. Asnjë faj në këtë rast për Enea Kolicin, që mundi në momentin e parë të shmangte golin, por s’mund të bënte asgjë para goditjes së sulmuesit ganez. Por Atsina nuk ndalet me kaq, në minutën e 20-të shfrytëzoi një pasim të Edon Hasanit, për ta detyruar për herë të dytë Kolicin që të nxirrte topin nga rrjeta.
Reagimi i Kukësit erdhi vetëm 5 minuta më vonë me një futbollist shkodran, Sidrit Gurin, që devijoi drejt rrejtës me kokë pas një goditjeje të lirë nga e majta e sulmit të vendasve. Kukësi ushtroi presion të vazhdueshëm edhe me fillimin e pjesës së dytë, derisa barazoi shifrat me brazilianin Cale, që shënjestroi portën me një goditje të bukur nga jashtë zonës.
U mbyll pa fitues ky takim në “Zeqir Ymeri”, me Kukësin që sheh t’i largohet Skëndebreu me 5 pikë më shumë, ndërsa Vllaznia mbetet në vendin e tetë me 6 pikë.
Kategoria Superiore (java 8)
E shtunë
Skënderbeu – Luftëtari 2-0
Lushnja – Teuta 2-1
E diel
Kukësi – Vllaznia 2-2
Partizani – Flamurtari (ora 17:00)
E hënë
Laçi – Kamza (ora 14:00)



