Morata: Reali më zhgënjeu, te Chelsea prej Contes
Alvaro Morata “thumbon” Realin e Madridit për mënyrën sesi e trajtoi, teksa vendosi të ushtronte të drejtën për ta riblerë nga Juventusi. Sulmuesi i Kombëtares së Spanjës, aktualisht pjesë e Chelsea-t, tregon që ishte Antonio Conte arsyeja që e bindi t’iu bashkohej “Bluve” të Londrës.
“U ktheva te Reali pas eksperiencës së mrekullueshme me Juventusin, sepse duhej respektuar kontrata. Zhgënjimi ishte shumë i madh. U gjenda sërish në pikën e nisjes. Te Reali më trajtuan sikur të isha ai djaloshi i para dy sezoneve italiane. U transferova te Chelsea, sepse ishte trajner Antonio Conte. Kemi biseduar për një transferim të mundshëm në pranverë, ndërsa pak muaj më vonë kjo lëvizje u bë realitet. Conte ka dhunti të jashtëzakonshme për të vlerësuar cilësitë e lojtarëve.”
Si futbollist që ka luajtur në tre kampionatet më të forta të Europës, Morata bën edhe dallimin mes tyre.
“Në Spanjë prevalon teknika, ndërsa në Itali dominon taktika, sigurshisht, e mbështetur në cilësi. Ndërsa në Angli, aspekti më i rëndësishëm është ai fizik.”



