St Etiennit “s’i mbajnë nervat”, Lyoni i shënon 5
Lyoni siguroi fitoren e katërt radhazi në Ligue 1, pasi kaloi lehtësisht 5-0 në transfertë një rival historik si St.Etienne. Skuadra që drejtohet nga Genesio ndoshta as vetë nuk e kishte menduar se rrjedha e lojës do të shkonte gjithmonë në favor të saj, duke u ndihmuar edhe nga episodet. Katër autorë të ndryshëm golash, dy finalizime në pjesën e parë dhe 3 në të dytën, statistika këto që tregojnë dominimin total të ndeshjes nga Lyoni. Depay dhe Fekir realizuan në minutat 10 dhe 25, por St Etienni mori një tjetër goditje të rëndë në minutën e 47-të me ndëshkimin e Lacroix me karton të kuq, pas një ndërhyrjeje brutale që shkaktoi edhe përplasje mes futbollistëve të të dyja skuadrave. Pas këtij momenti u bë gjithcka më e thjeshtë për Lyonin, që realizoi edhe tre gola të tjerë me autorë Diaz, Traore dhe sërish Fekir. Ky rezultat e mban Lyonin shumë pranë zonës Champions, në vendin e 5-të me 22 pikë, ndërsa St Etienni renditet një pozicion më poshtë, por me katër pikë më pak.



