“Le Parisien”: Pasuesi i Emery te PSG do të jetë Antonio Conte
Drejtuesit e PSG kanë nisur kontaktet me Antonio Conten, për të mësuar nëse ekzistojnë mundësitë që sezonin e ardhshëm tekniku italian të marrë drejtimin parizienëve. Sipas “Le Parisien”, presidenti Al Khelaifi është gati të ndërpresë marrëdhëniet me Unay Emery, nëse PSG nuk arrin të kualifikohet në gjysmëfinale të Championsit. Conte, pavarësisht suksesit që arriti sezonin e kaluar në Premier League, mbetet nën monitorim, kështu që nuk do ta refuzonte një ofertë nga klubi më i fuqishëm ekonomikisht në kampionatin francez.
Drejtuesit e PSG, të kontaktuar nga “Le Pariesien” kanë këmbëngulur duke theksuar se momentalisht nuk ekziston cështja e trajnerit, por në Angli vazhdojnë të spekulojnë për të ardhmen e Antonio Contes. Dorëheqja e drejtorit teknik të “bluve” të Londrës, Emenalo, dhë dërgimi në tribunë i David Luiz, lënë të kuptohet që klima nuk është e qetë dhe se ekzistojnë fraksionet. Antonio Conte ka kontratë me Chelsea-n deri në vitin 2019.



