Handanoviç: Kampionat konkurrues, por luajmë shanset tona
Samir Handanoviç është prej vitesh një nga pikat më të forta të Interit dhe po konfirmohet edhe këtë sezon nën drejtimin e Spallettit. Ndryshe nga vitet e tjera, krahas pritjeve, slloveni po kontribuon edhe në mbajtjen e topit dhe nisjen e aksioneve të skuadrës, kërkesë specifike kjo e trajnerit zi-kaltër.
Futbollistët e Interit kthejnë shpesh topin te portieri dhe luajnë me të, edhe kur kundërshtari ushtron presion, por slloveni e ka kaluar me sukses edhe këtë test.
“Spalletti kërkon që të mos e largojmë asnjëherë topin pa adresë, por të mundohemi të dalim me pasime të shkurtra nga zona. Ky stil lojë më bën shumë aktiv në fushë, sepse marr pjesë edhe në qarkullimin e topit, përveç pritjeve. Po fitoj gjithnjë e më tepër siguri dhe po mundohem t’i shërbej skuadrës, por pa bërë gabime”, tha Handanoviç.
Portieri i Interit vlerësoi paraqitjen e ekipit nën drejtimin e Spallettit, por theksoi se Seria A këtë sezon është shumë konkurruese.
“Ne jemi duke u paraqitur mjaft mirë dhe kemi grumbulluar shumë pikë, por të 5 skuadrat kryesuese kanë gjithashtu ecuri të mirë dhe jemi thuajse njësoj me pikë. Synimi i Interit është një vend në Champions, por do të luajmë deri në fund shanset tona edhe për titullin”, u shpreh portieri zi-kaltër.



