Milinkovic: Fitojmë me Kamzën, 4 javët e ardhshme vendimtare për titullin
Edhe pse ecuria në fazën e parë të këtij kampionati ka qenë paksa më e mirë se ajo e edicionit të kaluar, te Kukësi e kanë të qartë që katër ndeshjet e radhës do të jenë vendimtare në garën për titullin kampion. Trajneri Milinkovic nuk fshihet dhe kërkon te motivojë skuadrën e tij përpara duelit të kësaj të enjteje me Kamzën, surprizën e këtij sezoni.
Mladen Milinkovic
Është fillimi i fazës së dytë. Kjo ndeshje është tejet e rëndësishme, pasi kemi barazuar në dy javët e fundit dhe do të mundohemi të marrim fitoren. Nga ana tjetër na pret një duel delikat, sepse luajmë përballë një skuadre që me të drejtë do ta cilësoja surpriza e këtij kampionati. Kamza erdhi nga kategoria e parë, ka bërë merkato të mirë dhe kanë afruar lojtarë cilësorë. Kanë futbollistë kualitativ dhe të disiplinuar, që janë të rreshtuar mirë në fushë dhe për këto arsye nuk na pret një ndeshje e lehtë. Kamza nuk pëson shumë gola, por edhe nuk shënon shumë. Ata dëshirojnë të fitojnë, për të thënë se mposhtën ekipin kampion. Por, Kukësi nuk ka alternativë tjetër përveç fitores, sepse në këto katër ndeshjet e ardhshme do të përcaktohet në një masë të madhe gara për titullin.
Edhe pse Skënderbeu duket sikur po bën një kampionat më vete, ku pas ecurisë rekord ka 7 pikë më tepër se Kukësi, Milinkovic analizon atë që pritet të ndodhë deri në muajin dhjetor.
Mladen Milinkovic
“Ia kam thënë edhe lojtarëve në analizën pas fazës së parë: Këto katër ndeshjet e para janë të rëndësishme, sepse luajnë ndërmjet tyre ekipet e pesë vendeve të para. Skuadra që do të marrë më tepër pikë se rivalët do të jetë e favorizuar. Nëse ne do të marrim më tepër pikë se Skënderbeu do të ngushtojmë diferencën nga kryesuesit, dhe e kundërta nëse Skënderbeu fiton më tepër pikë, atëherë ata do të rrisin distancën nga ndjekësit”.
Trajneri i kampionëve në fuqi ka rezerva për paraqitjet e ekipit, ndërsa paralajmëroi vedime të rëndësishme kur kampionati të ndërpritet për pauzën dimërore.
Mladen Milinkovic
“Nuk jemi të kënaqur me pikët që kemi grumbulluar. Nuk do të nxjerr justifikim dëmtimet e shumta që kemi patur gjatë fazës së parë. Pas përfundimit të këtyre Shtatë ndeshjeve deri në muajin Dhjetor, do të ulemi të analizojmë se nga cilët lojtarë jemi të kënaqur dhe nga cilët presim më tepër. Duam të shohim edhe çfarë do të na japin futbollistët që kanë qenë të dëmtuar si Shameti, Zeqiri, Musolli apo Hallaçi që ka munguar në disa ndeshje. Më pas do të vendosim mbi të ardhmen e tyre”.
Faza e dytë e Kategorisë Superiore vlerësohet si vendimtare për objektivat sezonalë dhe do të ndikojë edhe në lëvizjet e klubit në merkaton e dimrit.
Mladen Milinkovic
“Nuk po mendojmë për merkaton, sepse duam të jemi të përqendruar te ndeshjet deri në fund të këtij viti. Nëse hedhim hapa fals deri në atë periudhë do të jetë e kot të përqendrohemi te gjetja e përforcimeve. Me rikthimin e dy tre lojtarëve të dëmtuar, jemi të bindur që do të luajmë edhe më mirë. Prisja diçka më tepër duke nisur nga vetja ime dhe nga futbollistët. Aliyev është një lojtar i mirë. Ndoshta nuk është ambientuar ose loja në Shqipëri nuk i përshtatet shumë. Ka ndikuar fakti që kjo është hera e parë që Aliyev largohet nga Azerbajxhani, por ne duam ta ndihmojmë që edhe ai të na ndihmojë”.



