Kosova U-21 barazon në Azerbajxhan
Përfaqësuesja e 21-vjeçarëve të Kosovës nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola në transfertën e Baku-t ndaj Azerbajxhanit vendas duke regjistruar barazimin e parë në grupin 5 kualifikues të Europianit të 21-vjeçarëve që do të zhvillohet në vitin 2019 në Itali. Skuadra e Rafet Prekazit luajti më mirë duke goditur në 5 raste portën kundërshtare por pa gjetur dot rrugën e rrjetës. Azerbajxhani e mbylli sfidën me 9 lojtarë pasi në minutat e fundit u ndëshkuan me kartonë të kuq Krivotsyuk dhe Sadigov, por vendasit gjithsesi rezistuan duke marrë pikën e parë në grup. Kosova ndërkohë me këtë barazim u ngjit në kuotën e 7 pikëve dhe pozicionohet e 4-ta pas 6 ndeshjeve duke lënë pas Norvegjinë dhe pikërisht Azerbajxhanin.



