Euroleague, Baskonia turpëron Realin, Khikmi “bie” ndaj Panathinaikosit
Reali i Madridit pëson humbjen më të rëndë në Euroleague-n e basketbollit dhe këtë disfatë ia shkakton një tjetër skuadër spanjolle, pikërisht Baskonia. 105 – 75 përfundoi takimi në “Fernando Buesa Arena”, me vendasit që shkuan plus 19 pikë që në periodën e parë, e cila u mbyll 36 – 17. Në fund të pjesës së parë Baskonia ruajti avantazhin prej 20 pikësh, duke ua bërë të pamundur madrilenëve që të kthenin rezultatin. Doncic i Realit e mbylli sfidën me një paraqitje mesatarem, duke shënuar 18 pikë.
Ndeshje për t’u harruar e Khimkit në parketin e Panathinaikosit. Skuadra moskovite u dorëzua 93 – 65, ku që në periodën e parë skuadra greke u shkëput me 10 pikë (26 – 16). Spikati për vendasit amerikani Denmon me 24 pikë, ndërsa për Khimkin Shved u ndal në vetëm 17 pikë.
Unicaja u dorëzua vetëm në kohën shtesë ndaj Zalgiris Kaunas 83 – 85, teksa koha e rregullt u mbyll në barazim 72 – 72. Kanadezi Pangos, me 21 pikë, 5 asist dhe 2 rikuperime ishte vendimtar në lojën e tij, për t’i dhënë fitoren e katërt ekipit lituanez.
Zhgënjen Maccabi Tel Aviv, që u dorëzua 72 – 92 në “Menora Mivtachim Arena” ndaj Anadolu Efes. I papërmbajtshëm në radhët e skuadrës turke amerikani McCollum, që shënoi plot 31 pikë, dha 3 asist dhe kontrolloi 2 topa nën tabelë. Për Anadolu Efes kjo ishte fitorja e dytë radhazi, që jep shpresë për vazhdimësinë, ndërsa Maccabi vazhdon të renditet në zonën play off, me 4 fitore dhe 3 humbje.



