Donjet Shkodra flet si ish: Flamurtari i fortë, por Skënderbeu mbi rivalët!
Është pa dyshim një ndër ish-ët më interesantë të përballjes Flamurtari – Skënderbeu. Sezonin e kaluar, Donjet Shkodra fitonte zemrat e publikut vlonjat me golat e tij për Flamurtarin, tani i duhet të kthehet si kundërshtar në Vlorë, aty prej nga ruan vetëm kujtime të mira.
“Kam kaluar një vit të mirë, njerëzit më kanë respektuar shumë. Sigurisht që dëshiroja të qëndroja më gjatë në Vlorë, por kjo është jeta e një futbollisti. Unë do të jap më të mirën për Skënderbeun dhe ta nderoj këtë fanellë”.
Ka vetëm pak muaj që është larguar nga Flamurtari e, pa dyshim, prishtinaliu është një ndër ata që mund të japin një opinion që vlen për t’u dëgjuar për gjendjen e të dyja skuadrave. Prognoza e 28-vjecarit është për një ndeshje të vështirë.
“Nga viti i kaluar Flamurtari ka bërë shumë ndryshime. Stafi ka qëndruar e po ashtu dhe disa lojtarë, pjesa tjetër ka ndryshuar shumë. Skënderbeu mendoj që është shumë më lart se ekipet e tjera në këtë sezon. Gjithsesi, parashikoj një ndeshje shumë të vështirë në Vlorë”.
Flitet shumë këto ditë për lodhjen e futbollistëve të Skënderbeut, që kanë qenë të aktivizuar me kombëtaret respektive, por për Shkodrën ekziston mundësia që minutat me përfaqësueset të japin një efekt të kundërt nga ai që mund të shpresojnë te Flamurtari.
“Lodhja mund të ndikojë për lojtarët që kanë luajtur me kombëtaret, por ne kemi futbollistë të tjerë. Të shohim cfarë do të ndodhë, sepse pjesëmarrja me kombëtaren mund të ketë efekt pozitiv”.
Në Vlorë është mësuar të shënojë gola të bukur, por a do të festojë nëse ia del që këtë të enjte të shënojë një tjetër me fanellën e Skënderbeut?
“Nuk e di akoma”.



