Starova: Jemi në krizë, nuk ua fal lojtarëve gabimet e pjesës së 2-të
Sulejman Starova se Partizani po vuan një shok psikologjik si pasojë e rezultateve të dobëta të këtij fillim sezoni dhe këtë e tregoi edhe sot ndaj Laçit. I kënaqur me paraqitjen e skuadrës në pjesën e parë, Starova gjithsesi në mikrofonin e Supersport theksoi se nuk ia fal ekipit atë “black out” në minutat e para të pjesës së dytë.
“ Deri diku bëmë një pjesë të parë të pëlqyeshme, por në fraksionin e dytë morëm një gol pas një gabim foshnjarak në nivel kolektiv. Më pas shfaqëm shumë tension dhe këtë gjë e vuri në dukje kapiteni Batha. Nuk ia fal skuadrës atë paraqitje në 15 apo në 20 minuta nga pjesa e dytë. Bëmë shumë gabime, jemi në krizë këtë mund ta pranoj. Sot humbëm një tre pikësh por nuk na mbetet gjë tjetër vecse të punojmë fort për t’u ringritur në ndeshjet e ardhshme”.
Starova nuk flet për spastrimet që do të ketë në skuadër në merkaton e janarit pasi vëmendja e tij shkon vetëm te ndeshja e radhës ndaj Kukësit, në të cilën Partizani duhet të evitojë gabimet e shumta kolektive që bën.
“ Kemi ndeshjen e radhës me Kukësin. Kemi vetë një rrugë ne si staf teknik dhe skuadra gjithashtu. Duhet të evitojmë të metat kolektive, të shfaqim një formë ndryshe dhe të rikthehemi te rezultatet. Nuk dua të flas për arbitrat. Partizani nuk është mësuar prej vitesh të jetë në një gjëndje të tillë përsa i përket rezultateve dhe pozicionit në tabelën e klasifikimit. Është e vështirë të kalosh këtë shok psikologjik që ka përfshirë ekipin”.



