Kategoria Superiore

Duro: Dhamë maksimumin, gjykimi vijon të na penalizojë

Trajneri i Flamurtarit nuk e fshehu mërzinë për barazimin e sotëm, veçanërisht për vendimet e gjyqtarëve, ndërsa theksoi se është i kënaqur për atë që skuadra e tij dha në fushën e lojës. Duro vlerësoi edhe skuadrën korçare dhe forcën e saj, ndërsa tha se barazimi me Skënderbeun është i pranueshëm, por jo në këtë mënyrë si u arrit.

“Dua të komplimentoj skuadrën, për atë që dha në fushën e lojës, pasi përballë kishim një kundërshtar mjaft të fortë. Sot e meritonim patjetër fitoren, pasi kemi shënuar dhe kontrolluar lojën, por edhe sot gjyqtari na penalizoi, sepse na mohoi golin e dytë, që mund të mbyllte sfidën. Nuk po diskutoj më për penalltinë, sepse as nuk kemi marrë dhe as nuk besoj se do na japin ndonjëherë. Ne kemi bërë maksimumin si me Skënderbeun, ashtu edhe me Kukësin, por na kanë penalizuar vendimet e gjyqtarëve dhe nuk kemi marrë aq sa meritonim”, tha Duro.

Trajneri i vlonjatëve theksoi se Skënderbeu nuk është skuadër që mund t’i vuajë mungesat, sepse ka një organikë mjaft të plotësuar, me futbollistë të një niveli të lartë, edhe në stolin e rezervave.

“Nuk besoj se ndikuan mungesat te Skënderbeu, sepse korçarët kanë alternative edhe në stol, që janë në nivelin e titullarëve. Edhe ne na mungonte Pollozhani, por nuk e vërejti kush këtë fakt. Unë besoj se për 90-minutëshin e sotëm, nuk u vunë re diferenca mes dy ekipeve dhe ndoshta ne merituam më tepër që të fitonim”, u shpreh Shpëtim Duro.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency