Benedetto këput ligamentin, Higuain më pranë Botërorit rus (Video)
Sulmuesi i Boca Juniors dhe i Kombëtares së Argjentinës, Dario Benedetto, ka këputur ligamentin kryqëzor të gjurit të djathtë në ndeshjen kundër Racing, të humbur 2-1 në stadiumin “Bombonera”. Bëhet fjalë për një dëmtim të rëndë, pas vendosjes së gabuar të këmbës në tokë nga ana e futbollistit të datëlindjes 1990. Benedetto është larguar nga fusha me barrelë mes lotësh, pasi do t’i duhet të qëndrojë për shumë muaj jashtë fushave të blerta, por ç’është më e vështira, duhet t’i thotë para kohe lamtumirë Botërorit “Rusi 2018”.
Ky zhvillim tek Argjentina, në fakt, rrit mundësinë e grumbullimit të Gonzalo Higuainit nga Jorge Sampaoli. Sigurisht që për “El Pipitan” do të ndikojë shumë ecuria e sezonit në radhët e Juventusit. Duhet të kthehet në formën më të mirë me “bardhezinjtë”, të shënojë gola, që dyert e kombëtares të hapen edhe për të. Më një rival më pak, Higuanin do ta ketë më të lehtë të shkojë në Rusi.



