Premier League

Liverpool-Chelsea, spektakli i garantuar në “Anfield Road”

Të shtunën në mbrëmje Liverpooli dhe Chelsea do të përballen për të 167-ën herë ndërmjet tyre, një numër i konsiderueshëm ndeshjesh, që e shndërron vetvetiu këtë duel, në një klasike të kohëve moderne. Të dy ekipet kanë rivalitet shumë më të egër me skuadra të tjera, megjithatë dekadën e fundit, por sidomos në mijëvjeçarin e ri, gjërat janë ashpërsuar ndjeshëm ndërmjet klubit nga Merseyside dhe atij nga kryeqyteti britanik, pasi janë përballur shpesh në të gjithë kompeticionet, si Champions, FA Cup, Kupë Lige apo dhe kampionat, ku “blutë” madje janë shkaktarë që Liverpuli, një ndër klubet më të lavdishëm të këtij vendi, nuk ka ende një titull në Premier League.

Në kampionatin anglez luhen takimet e javës së 13 dhe teksa City i Guardiolës numëron 10 fitore radhazi, gjithë skuadrat e tjera vazhdojnë t’i shkëpusin pikë të rëndësishme njëra-tjetrës. Formacioni i Antonio Conte-s zbret në Anfield si ekipi kampion në fuqi, për më tepër klubi londinez, falë suksesit 4-0 në Azerbajxhan, siguroi kualifikimin për në 16 skuadrat më të mira në Champions League, objektiv për të cilin “të kuqtë” duhet të presin akoma edhe 10 ditë, teksa shpërdoruan në mesjavë avantazhin e plot tre golave në Andaluzi, ndaj Seviljes, duke bërë me të vërtetë një figurë tepër të shëmtuar.

Për fat këtë herë takimi do të luhet në ‘Anfield’, ku ekipi i Jurgen Klopp ka humbur vetëm 2 nga 25 ndeshjet e fundit, edhe ato ndaj kundërshtarëve të tillë si Swansea apo Crystal Palace. Trajneri gjerman ka statistikat më të mira në përballjet e 6-shes së madhe, ku përfshihen natyrisht 2 klubet nga Manchesteri, si dhe 3-shja londineze Chelsea, Arsenal dhe Tottenham.

Në krahun tjetër, Chelsea duket se e hodhi pas krahëve fillimin e vështirë të këtij sezoni dhe me rikthimin e belgut Eden Hazard, gjërat po funksionojnë si më parë, madje bashkëpunimi Hazard-Morata po jep frytet, teksa sulmuesi spanjoll numëron 8 gola dhe 4 asiste në 12 ndeshjet e tij të para në Premiership. Për hir të së vërtetës, golashënuesi më i mirë është egjiptiani Mohamed Salah, ish-lojtar i Chelsea-t, që në radhët e bluve nuk la aspak gjurmë, por që me skemat e Jurgen Klopp ndihet shkëlqyeshëm, ndërkaq në formë të shkëlqyer duket gjithashtu edhe Philippe Coutinho, që numëron 10 gola e 4 asiste në 16 ndeshjet e fundit në të gjitha aktivitetet.

Kurioz është fakti që në 7 përballjet e fundit ndërmjet tyre, nuk është respektuar fare faktori fushë, por gjithsesi në Merseyside do të përballen dy filozofi të ndryshme, pasi Liverpuli me lojtarë të tillë si Salah, Coutinho, Mane apo Firminho, përbën një makineri të vërtetë golash, ndërsa trajneri italian kërkon që të arrijë rezultatet e dëshiruara nëpërmjet një loje tepër të kontrolluar dhe skematike, që nuk lë shumë vend për improvizim. Ky ndoshta është momenti më i keq për Antonio Conte-n për t’u përballur me Liverpulin, për më tepër edhe sezonin e kaluar, trajneri italian ndonëse fitoi titullin në Premiership, dështoi për të mposhtur të kuqtë.

Kritikat për administrimin e tmerrshëm të rezultatit në ‘Ramon Sanchez Pizjuan’ sigurisht që e motivojnë ndjeshëm formacionin e Jurgen Klopp për të marrë 3 pikët, rezultat që do ta barazonte me pikë në klasifikim me Chelsea-n. “Blutë” kanë fituar 18 nga 25 ndeshjet e fundit larg Stadiumit ‘Stamford Bridge’, megjithatë Liverpooli në ‘Anfield Road’ është i frikshëm, teksa ka pësuar vetëm një gol në 8 takimet e fundit në shtëpi. Takimi do të luhet në orën 18:30 dhe do të gjykohet nga 32-vjecari Michael Oliver, që ishte arbitër kryesor edhe një vit e gjysmë më parë, kur në Merseyside dy ekipet barazuan po për kampionat me shifrat 1-1.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency