Interi udhëton në Sardegna, për 3 pikët dhe kreun
Seria A, vjen me 4 takime interesante këtë të shtunë. Kështu, Interi do të udhëtojë në transfertën e Cagliarit, me zikaltërit që deri më tani janë duke zhvilluar një kampionat fantastik, duke tejkaluar çdo lloj parashikimi të mundshëm. 2 barazime dhe 3 fitore, është bilanci i skuadrës së drejtuar nga Luciano Spalleti në 5 javët e fundit, ndërsa mban vendin e dytë në tabelën e klasifikimit me 33 pikë, 2 më pak se Napoli kryesues.
Transfertë delikatë kjo për Interin, duke pasur parasysh faktin se Cagliari është një nga ato skuadra ku në rast nënvlerësimi, di mirë se si të ndëshkojë.
Sigurisht që nga ana e zikaltërve do të kërkohet një rezultat pozitiv për ta vazhduar rrugën e suksesshme në të cilën janë duke ecur. Takimin Cagliari-Inter ju do të keni mundësi ta ndiqni në Super Sport 2 në orën 20:45.
Bologna do të presë brenda në shtëpi Sampdorian, skuadrën që arriti të surprizonte fundjavën e kaluar, Juventusin, duke e mposhtur me rezultatin 3-2. Ekipi xhenovez momentalisht ndodhet në zonën europiane, duke mbajtur vendin i 6, me 26 pikë, teksa në 3 javët e fundit, kanë siguruar 3 fitore radhazi.
Në takimin tjetër, Sassuolo do të presë Veronën, që nuk arrin të fitojnë në kampionat prej 5 javësh, ndërkohë që situata jo dhe aq komode paraqitet dhe për vendasit. Një sfidë mes dy skuadrave ku 3 pikët janë e vetmja rrugë për t’i dhënë vetes një lloj frymëmarrje.
Edhe skuadra tjetër veroneze, Chievo do të zbresë në fushë sot, teksa do të presë skuadrën e sapo ngjitur në Serinë A, SPAL-in. Vendasit nuk fitojnë që prej 1 muaji dhe do të kërkojnë revanshin sot, ndërsa miqtë vijnë me plot 8 mungesa dhe si mision kryesor kanë të mos dalin pa pikë nga kjo transfertë.



