La Liga

Valverde: Absurde që nuk aplikohet teknologjia në Spanjë

Pas Atleticos në ‘Wanda Metropolitano’, radhën për të frenuar Barcelonën e kishte Valencia në ‘Mestalla’, megjithatë barazimi 1-1 i së dielës, ishte vetëm i dytë në këtë sezxon për katalanasit, që ende nuk e kanë provuar shijen e humbjes.

Në kryendeshjen e javës së 13 në Primera Division, u regjistrua një episode, që në fund rezultoi deçiziv në përcaktimin e rezultatit. Bëhet fjalë për golin e anuluar të Lionel Messit, moment që mesa duket nuk do të harrohet lehtë, sidomos nga trajneri i Barçës, Ernesto Valverde.

Në konferencën për shtyp përpara takimit me Murcia-n, 53-vjeçari nga Extremadura foli gjatë për golin e mohuar të argjentinasit, ndërsa deklaroi se i duket absurde që pavarësisht nivelit shumë të përparuar të teknologjisë, një gjë e tillë nuk aplikohet në kampionatin spanjoll.

Trajneri i ekipit katalanas pranoi se nuk e vuri re topin të kalonte vijën e portës, nga pozicioni ku ndodhej, por në çastin kur pa Mesin të festonte, e kuptoi shumë mirë që ishte gol. Për Valverden është tepër i vështirë për t’u kapërdirë fakti që një gabim i tillë ndodhi pikërisht në një ndeshje kaq të rëndësishme, por mbi të gjitha, sipas tij është absurde që arbitri nuk dalloi diçka kaq të qartë, episod për të cilin më pas u fol shumë dhe u dhanë shpjegime gjatë gjithë javës.

Trajneri i Barçës shtoi se niveli i arbitrimit në Spanjë është i mirë dhe pranoi se trajnerët do të vazhdojnë si gjithmonë të ankohen, ndërsa gjyqtarët në krahun tjetër do të vijojnë të gabojnë, pasi të drejtosh një ndeshje në këtë aspekt, për Valverden mbetet një gjë shumë e vështirë.

Tekniku katalanas foli për gjendjen e mirë fizike të skuadrës së tij, si dhe riaftësimin e dyshes Andre Gomes-Sergi Roberto, ndërsa u ndal edhe te Deulofeu, që e vlerësoi si një lojtar mjaft i mirë vertikal, të cilit i ka ngarkuar si detyrë që të përballet me futbollistët kundërshtarë, për të krijuar sa më shumë raste për gol.

Në lidhje me turkun Arda Turan dhe gjendjen e tij, 53-vjeçari shtoi se ka besim si te fjala e futbollistëve ashtu edhe te stafi mjekësor. Valverde deklaroi se ka besim te portieri Cillessen, gjë që lë të kuptohet se holandezi do ta fillojë takimin me Murcian si titullar mes shtyllave, ndërsa vlerësoi edhe punën e bërë nga Thomas Vermaelen në sfidën me Valencian.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency