Feston Gremio, Lanus “thyhet” sërish, Copa Libertadores shkon për brazilianët(Video)
E treta dhe ajo e vërteta tashmë është një realitet për Gremion. Në Argjentinë festuan brazilianët. Për herë të tretë në historinë e saj Gremio fitoi Copa Libertadores, trofeun më të rëndësishëm në Amerikën e Jugut pasi mposhti edhe në ndeshjen e kthimit këtë herë me rezultatin 2-1, Lanusin dhe me shifrat e përgjithëshme 3-1 në favor skuadra nga Porto Alegre bëri të vetën Copa Libertadores për vitin 2017. Pas sukseseve në 1983-in dhe 1995, bluzinjtë festuan sërish. 180 minuta të luajtura më mirë nga skuadra e Renato Gauchos që u bë braziliani i parë që e fiton Copa Libertadores si trajner dhe si futbollist me të njëjtën skuadër, pasi në 1983-in e largët ai ka qenë një lojtar i Gremios. Pas fitores së vështirë një javë më parë në Porto Alegre me golin e Ciceros në minutat e fundit, ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Nestor Diaz Perez” në Lanus nuk kishte aspak histori sepse Gremio shënoi dy herë në pjesën e parë me Fernandinhon dhe Luan pas asistit të talentit të shumëkërkuar nga klubet e mëdha europiane Arthur, duke vendosur fatet e trofeut. Goli i Sand nga pika e bardhë e penalltisë në pjesën e dytë shërbeu vetëm sa për tia bërë pak të dhimbshme disfatën skuadrës argjentinase, që duhet të tentojë sërish për të fituar për herë të parë në histori Copa Libertadores. Gremio e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Ramiros në të 83-tën por kjo pak rëndësi kishte sepse askush nuk mund t’u prishte festën brazilianëve për një sukses plotësisht të merituar. Për të mbrritur te triumfi formacioni nga Porto Alegre eliminoi me rradhë ekipe të tilla si argjentinasit e Godoy Cruz, fitoi derbin brazilian me Botafogon ndërsa në gjysmëfinale nxorri jashtë kompeticionit ekuadorianët e Barcelonës. Tashmë vjen momenti për të menduar për Botërorin e klubeve që do të zhvillohet pas 2 javësh me Gremion që do të jetë rivalja kryesore e Realit të Madridit për suksesin final.



