Milinkovic: Kukësi, ende në garë për titull, presim përforcime
Dukej qartë zhgënjimi në fjalët e Mladen Milikovic në përfundim të takimit me Skënderbeun. Trajneri i Kukësit mundohet të mbajë lart moralin, duke theksuar se kjo humbje nuk është vendimtare për çështjen e titullit.
Ishte një ndeshje e rëndësishme, por që nuk vendos kampionatin. Skënderbeu mund të lërë pikë rrugës dhe ne të përfitojmë. Pra, ne nuk duhet të lëmë pikë. Pas ndeshjes mund të thuash shumë gjëra, por ky është realiteti. Me këta lojtarë do të luajmë, nëse do të kemi mundësi të përforcohemi, do ta bëjmë. Ishte e vetmja mënyrë për të pësuar gol, pikërisht në qendër, aty ku ia kishim frikën. Ne e kishim të sigurt që do ta bënim një gol, na erdhi edhe një rast i dytë, por gabuam. Skënderbeu dy herë që pati momente të mira, i shënoi.
Me besimin se në janar Kukësi do të përforcohet me elementët e duhur, Milinkovic u shpreh se skuadra e tij mbetet në lojë për të dy trofetë.
Besoj se lojtarët do të gjejnë forcë për të marrë tre fitore radhazi dhe të shpresojmë që edhe kundërshtarët të lënë pikë. Mendoj kemi ende shanse për kampionatin dhe sigurisht jemi në garë për Kupë. Shpresoj të përforcohemi në janar dhe pse jo t’i fitojmë të dy trofetë.



