Skënderbeu vendos njërën dorë tek titulli, por nuk është një rastësi!
Në 13 javë kampionat duket sikur Skënderbeu ka vendosur njërën dorë te titulli kampion dhe pse ende nuk ka kaluar as gjysma e sezonit. Fitorja e drejtëpërdrejtë me Kukësin ngriti në 9 pikë diferencën me kampionët në fuqi, një avantazh që duket i menaxhueshëm deri në fund të kampionatit, për një skuadër që nga java e ardhshme nuk do të ketë më as impenjime në Europë. Ecuria e verës në Europa League por mbi të gjitha loja e shprehur e dha një sinjal se Skënderbeu këtë vit do të ishte pretendenti kryesor për fitimin e titullit, por as më optimsti nuk mendonte se diferenca e krijuar me ndjekësit do të ishte kaq e madhe kur është luajtur vetëm 1/3 e sezonit të Superiores dhe kjo e ka një arsye. Në ndryshim nga klubet e tjera që ndryshojnë pothuajse plotësisht në merkaton e verës, Skënderbeu prej vitesh, jo vetëm që ka arkëtuar të ardhura nga shitja e lojtarëve të saj duke ngritur një strukturë të fortë menaxhimi, por dhe ata emra të rinj që afrohen përshtaten menjëherë në skuadër, e vetmja në Shqipëri që ka një lojë të konsoliduar dhe që luan në mënyrë të ngjashme pavarësisht emrave që hyjnë e dalin në formacion. 9 pikët avantazh të Skënderbeut në këtë sezon por dhe shpërndarja e golave mes futbollistëve janë tregues të faktit se te korçarët i rëndësishëm nuk është individi por grupi, dhe i pari thjesht vihet në shërbim të skuadrës dhe këto janë elementë që e bëjnë një skuadër të suksesshme, aq sa pas 13 javësh nuk ka asnjë humbje dhe me ritmet aktuale duket paksa e vështirë që dikush ta mundë, sepse rezultatet e Skënderbeut mbi të gjitha nuk janë prodhim i rastësisë.



