Vllaznia-Luftëtari, duel “simpatie” per mbijetesën
Kampionati është ende i gjatë, por nuk është herët të flitet për mbijetesën. Me Lushnjën të shkëputur në “bishtin e karvanit” të Superiores, renditja thotë se dy skuadrat e tjera më të rrezikuara janë Vllaznia dhe Luftëtari. Respektivisht në kuotën e 12 dhe 10 pikëve, janë ato dy skuadrat që nuk po arrijnë të gjejnë ecurinë e duhur për t’i shpëtuar vorbullës së frikshme të rënies nga Kategoria. Ai mes tyre, për t’i lënë njëra-tjetrës vendin e parafundit, ngjason për publikun e gjerë me një duel “simpatie”, ku duket e vështirë të zgjedhësh. Luftëtari sezonin e kaluar me stilin e lojës sulmuese dhe pa kompleksin e inferioritetit fitoi zemrat e të gjithëve duke dhuruar futboll të bukur. Këtë edicion rezultatet janë krejtësisht zhgënjyese, por ndeshjet e skuadrës gjirokastrite mbeten të bukura për të pare. Luftëtari krijon mori rastesh, shpërdoron në mënyrë të pabesueshme dhe pëson më shumë, por prodhon futboll dhe mbetet një ndër skuadrat që i dhurojnë emocion kampionatit. Vllaznia më shumë sesa stilin e lojës, ka në krahun e saj historinë. Është skuadra më e vjetër në vend dhe tradicionalisht, që nga 1918-a e largët i ka dhuruar bukuri kampionatit shqiptar ndër vite e sa e sa emra të shquar dhe të mbetur paharrueshëm në kujtesën e futbollit shqiptar. Prej disa vitesh endet larg shkëlqimit të dikurshëm dhe finalja e sezonit të kaluar me Tiranën ishte vërtet një dilemë hamletiane për publikun e gjerë. Majin e kaluar përfundoi me lotët bardheblu, por Vllaznisë këtë herë i duhet të evitojë një “déjà vu” të atij fundkampionati. Thonë se edhe fati vëtem një herë troket në derë.



