Ronaldo-Messi, është një sfidë e përjetshme
Dy kampionë sa të ngjashëm aq edhe të ndryshëm. Dy paralele që nuk takohen, por vijojnë sagën e suksesve. Dy histori suksesi, që prej 10 vjetësh vrapojnë me të njëjtin hap galopant, me kalime, parakalime dhe kthesa të njëpasnjëshme. Cristiano Ronaldo sapo ka barazuar Messin me 5 trofetë e fituar të Topit të Artë, por figuron të jetë portugezi ai që ka marrë statusin e mbretit të golit në Champions League. Një sfidë që e ka zanafillën 12 vjet më parë. Totali i golave të shënuar nga “ylli” 32-vjeçar Ronaldo në kompeticionin madhor europain që nga 2005 e sheh atë të avantazhuar me 114 gola në 146 ndeshje.
Të paktën një gol në çdo ndeshje të Championsit në këtë sezon, ndërkohë që mesatarja e golave për takimet në total sheh me një avantazh të lehtë argjentinasin Messi, që në vetëm 121 ndeshje ka shënuar 97 gola. Messi është gjithashtu superior me numrin e golave të shënuar në një ndeshje të vetme. Ronaldo rezulton i papërmbajtshëm rreth fundit të pjesës së parë, përkatësisht me12 gola të shënuar rreth minutave 25 dhe 30. Messi, nga ana tjetër, është një raketë shpërthyese pranë vërshëllimës së arbritrit. 10 gola të realizuar në 5 minutat e fundit të takimit dhe 4 të tjerë në kohën shtesë. Messi shënon 2 në tre gola me të majtën, 4 me kokë dhe 13 me të djathtën, ndërkohë Ronaldo shënon në të gjitha mënyrat. Lufta për goleadorin e Champions League është ende e hapur, gladiatorët vijojnë dyluftimin në arenën Europiane.



